Berisha: Raporti vlerëson zgjedhjet

15/08/2011 19:15

Pas publikimit të raportit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 8 Majit, kryeministri Sali Berisha ka dalë në një konferencë shtypi, ku tha se ky raport i vlerëson zgjedhjet si kompetitive dhe transparente. (UPDATE)

“Kur zgjedhjet janë transparente, kur zgjedhjet janë konkuruese, atëherë zgjedhjet nderojnë vendin që i zhvillon. Patëm teknikalitete dhe probleme dhe unë jam këtu të ftoj opozitën të angazhohemi seriozisht në një reformë zgjedhore. Të ftojmë ODIHR-in të ftojmë Komisionin e Venecias dhe të cojmë më tej konsolidimin e standarteve ndërkombëtare të zgjedhjeve në Shqipëri. Shteti ligjor funksionoi. Cdo votë u hodh, u numërua, u vlerësua, u llogarit në mënyrën më transparente. Ka një sugjerim ku thotë se mund të konsiderohet ndryshimi i përbërjes së KQZ-së. Unë pranoj pikë për pikë të gjitha rekomandimet, si të 2009-s ashtu edhe ato të 2011-s”, tha Berisha.

Raporti i ODIHR është ndalur edhe tek zgjedhjet lokale në Tiranë, ku është kërkuar që të ketë specifikime në Kodin ligjor për votat e hedhura në kutitë e gabuara. Kryeministri Berisha tha se nuk ka patur asnjë qortim për vlefshmërinë e tyre.

“Për të përfshirë në rezultat votat e hedhura në kutitë e gabuara, nuk kishte një dokument të shkruar mbi këto vota, por as KQZ, as gjykatat, as kurrkush nuk mund të përjashtojë këto vota, ndaj edhe një nga rekomandimet është të amendohet kodi dhe të përcaktohet rruga e amendimit dhe administrimit të këtyre votave. Raporti thotë se 2 Kolegjet Zgjedhore i dhanë të drejtë KQZ-së dhe ODIHR nuk thotë që të bëhet ligj për të përjashtuar këto vota, por të bëhet ligj për të përfshirë këto vota”, tha kryeministri.

Berisha ka ftuar të gjitha forcat politike për të diskutuar dhe plotësuar të gjitha rekomandimet e këtij raporti që synojne përmirësimin e procesit zgjedhor.

Kryeministri Berisha është ndalur edhe tek ndryshimet e kërkuara  në Kushtetutë për zgjedhjen e presidentit nga opozita, por edhe nga ish-presidentët , duke theksuar se nuk do të ketë asnjë ndryshim të saj.

Kryeministri Berisha tha se nuk do të pranojë asnjë nga propozimet e diskutuara deri më tani në Kushtetutë për zgjedhjen presidentit.

“Kushtetuta përcakton se kur fillon procesi zgjedhor i zgjedhjes së presidentit. Është kapitull i mbyllur, të paktën për sa kohë të ekzistojë forca politike e qendrës së djathtë, Partia Demokratike. Nuk bëhet fjalë që ajo të pranojë të vendosë një nen në Kushtetutë që të cojë vendin në zgjedhje sa herë t’u teket të tjerëve për të mos votuar. Unë nuk jam as për zgjedhjen e Presidentit nga populli, në një republikë parlamentare presidenti do zgjidhet nga parlamenti”, tha Berisha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA