Presione, shantazhe, përgatitje për spastrime te klubi “Tirana”

13/08/2011 12:35

Shantazhe dhe presione. Duket se kjo është kjo mënyra se si po
përgatitet të zbarkojë rotacioni politik i Bashkisë më të madhe të
vendit, asaj të Tiranës, deri te klubet sportive në varësi të këtij
dikasteri.

Dhe e gjitha kjo ka vetëm një qëllim, përgatitjen e terrenit për spastrime të atyre që konsiderohen simpatizantë të partisë kundërshtare. Si gjithnjë, duket se edhe këtë herë tradita do të ruhet me fanatizëm: ai që vjen i ri, do të largojë të vjetrit.

Dhe kësaj radhe, administrata nën varësinë e Bashkisë së Tiranës duket se ofron shumë resurse për të kënaqur militantët. Ndoshta kështu mund të jetë një përshkrim në pamje të parë i asaj që po ndodh aktualisht në një nga klubet më me emër në vend, klubit shumësportësh “Tirana”, ku ushtrohen sportistë të  disiplinave të ndryshme, si atletikës, peshëngritjes, boksit, basketbollit (meshkuj/femra), volejbollit (meshkuj/femra), çiklizmit, qitjes etj.

Nuk është e vështirë të konstatosh se situata në ambientet e këtij klubi nuk është aspak e qetë, madje edhe palët janë të ndara në dysh: një pjesë, që shpreson se me rotacionin politik do të forcojnë pozitat dhe një pjesë tjetër që ndihen të kërcënuar e frikësuar se mos humbasin vendin e punës. Sipas gazetes “Shqip”, të rrezikuarit janë drejtues të lartë, nëpunës të tjerë, trajnerë, madje edhe lojtarë. Kriteri i vetëm: “Nuk jeni tanët!”. Arenë e këtyre zhvillimeve është bërë ndonjëherë edhe media.

Para pak ditësh, një e përditshme sportive në vend shkruante se kandidati i vetëshpallur momentalisht për postin e shefit të ri i klubit shumësportësh ‘Tirana’, ka takuar lojtarët e skuadrës bardheblu, pjesë e Kombëtares së Basketbollit, sikur të kishte marrë zyrtarisht postin. Ndërkohë që personi i lartpërmendur nuk figuron askund si i emëruar në këtë detyrë.

“Zyrtarisht nuk ka asnjë vendim ligjor, ku të lexojë se bashkia ka emëruar shefin e ri të klubit, ka theksuar shefi aktual, Vladimir Aga, i cili shprehet i çuditur për këtë fakt. Emri i lartpërmendur është ai i Bujar Shehut, një njeriu me personalitet dhe të nderuar në klubin tonë, për kontributin që ka dhënë, por i cili, që prej disa vitesh ka dalë në pension. Me gjithë respektin që kam për personin në fjalë, ky fakt e bën të pamundur emërimin e tij, pasi në bazë të ligjit, rikthimi i aktivitetit për persona të tillë duhet të bëhet me vendim specifik të qeverisë”. Sipas Agës, kjo është vetëm një mënyrë presioni, por vë në dukje se zyra e shtypit në bashki hesht, në vend që t’i dënojë këto veprime. Vetë shefi aktuali i klubit e pranon sportivitet rotacionin dhe pasojat e tij. “Unë nuk jam kundër rotacionit, kundër lëvizjeve, pasi nuk e kam marrë me tapi vendin e punës, shton Aga. Por duhet të vijnë njerëz të spikatur. Madje, nëse do të emërohej dikush që e meriton, ose që është më lart se unë, me kënaqësi do t’i organizoja edhe ceremoninë e dorëzimit të detyrës. Por kjo që po ndodh aktualisht është fyerje”. Kryetari i sapoemëruar i Bashkisë së Tiranës, nga ku varet klubi ynë, në një deklaratë të bërë së fundmi ka falënderuar “të gjitha ata që simpatizojnë partitë e tjera, por nuk i kanë braktisur detyrat”. Ndërsa ka shtuar se nuk do të ketë spastrime. “Unë besoj se kryetari i ri, një njeri i emancipuar dhe i shkolluar në Perëndim, vështirë të bëhet pjesë e këtyre makinacioneve të vogla”, thotë në fund shefi aktual i klubit, Aga. Megjithatë, tani pritet cilin kah do të marrin zhvillimet në ditët e ardhshme.

Top Channel