Fabregas është i Barçës, të hënën bëhet prezantimi

13/08/2011 13:10

Tashmë mungon vetëm zyrtarizimi, megjithatë, Sesk Fabregas mund të
cilësohet lojtar i Barcelonës. Pas akordit ndërmjet klubeve për vlerën e
transferimit, qershia mbi tortë është firma e mesfushorit që pritet të
hedhë të zezën mbi të bardhë në kontratë.

Fabregas pritej të udhëtonte dje drejt Barcelonës, për t’u prezantuar sot si përforcimi më i ri i “blaugranave”. Por, mbërritja e tij u shty për të dielën, ndërsa prezantimi përpara tifozëve katalanë do të bëhet të hënën. “Vonesa” erdhi për të shmangur shpërqendrime në prag të ndeshjes së parë të Superkupës së Spanjës kundër Realit të Madridit.

Transferimi i 24-vjeçarit i jep fund spekulimeve për rikthimin e tij në “Kamp Nou”, të cilat zgjasin prej afro dy vjetësh. Fabregas do të firmosë kontratë që e lidh për pesë vitet e ardhshme me Barçën, ndërsa Arsenali do të përfitojë 34 milionë euro fikse nga marrëveshja, plus 6 milionë të tjera në formë shpërblimesh. Sipas “El Mundo Deportivo”, kostoja e operacionit do të kapë vlerën prej 40 milionë eurosh të pretenduara nga “topçinjtë” vetëm nëse katalanët fitojnë dy tituj kampionë në Spanjë dhe një Champions League në pesë vitet e ardhshme.

Të dhënat për faktin se transferimi i Fabregas te Barcelona është në fazën finale nuk mungojnë. Trajneri Arsen Venger ka vendosur të mos e grumbullojë spanjollin, ashtu sikurse edhe Samir Nasrinë që duket i destinuar për të luajtur me Mançester Sitin, për ndeshjen e parë të Premier League-s, ku Arsenali luan me Njukasëllin.

Fakti që drejtuesi i stolit la jashtë ekipit dy mesfushorët kryesorë për këtë transfertë të vështirë që do të luhet sot, tregon se ai po e përgatit skuadrën pa llogaritur shërbimet e dy lojtarëve për sezonin e ri. Konfirmimet për blerjen e shumëpritur vijnë edhe nga vetë lojtarët e Barcelonës. Nëpërmjet faqes së tij në “Twitter”, Gerard Pike, i cili është një prej miqve më të mirë të Fabregas, pohonte dje: “Do të jetë një ditë e madhe. Jam paksa nervoz! Megjithatë, tashmë është i yni”. Edhe kapiteni Karles Pujol e ka uruar shokun e përfaqësueses: “Shoh dritë në fund të tunelit, shpresoj që të mos ndodhë si herët e tjera, shkruante mbrojtësi në ‘Twitter’. Mirë se erdhe në shtëpi, jam i lumtur që ndodhesh këtu”. Ndërkohë, portieri Viktor Valdes rrëfeu për gazetën katalane “Sport” se marrëveshja është drejt finalizimit. “Gardiani” i Barcelonës deklaroi: “Njoftimi zyrtar për afrimin e Sesk Fabregas te Barcelona është vetëm çështje orësh. Nuk arrij ta imagjinoj Barçën gjatë këtij sezoni pa të. Me afrimin e Sesk, klubi po blen një lojtar të madh të nivelit botëror. Ai nuk do ta ketë të vështirë të përshtatet, pasi është shok me pjesën më të madhe të ekipit”.

Top Channel