
Autoritetet kosovare janë të vendosura që të zbatojnë në përpikëri masat
e reciprocitetit. Edhe tri javë që nga aplikimi i këtyre masave,
përfaqësues të doganave nuk kanë lejuar asnjë mall me origjinë nga
Serbia të futet në tregun kosovar.
Me gjithë përpjekjet e shtetit serb që t’i shfrytëzojë vendet tjera të rajonit për futjen e mallit të tij në Kosovë, çdo gjë ka rezultuar pa sukses.
Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës, bën të ditur Radio Evropa e Lire, thotë se në ditët e para të aplikimit të këtyre masave, ka pasur disa tentime, por jo edhe më vonë.
“Të gjitha degët doganore janë udhëzuar që të kenë kujdes në këtë qëndrim. Faktikisht, për secilin mall që ka dyshime, bëhet edhe verifikimi fizik i tij”, thotë Stavileci.
Menjëherë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e futjes së mallrave serbe, kompanitë e Serbisë janë angazhuar që Maqedoninë ta shfrytëzojnë për eksportin e mallrave të tyre në territorin e Republikës së Kosovës.
Por, të gjitha këto mallra me origjinë nga Serbia janë kthyer mbrapsht, thotë Stavileci.
“Mallrat kalojnë nga Maqedonia, por edhe pas ndërrimit të dokumentacionit, prapëseprapë origjina mbetet e njëjtë. Origjina mbetet e Serbisë dhe ai dokument mbetet i vulosur me vulën e Serbisë”.
“Këto raste, doganat i kanë kthyer mbrapa. Ato kanë ndodhur në ditët e para, menjëherë pas aplikimit të parimit të reciprocitetit. Në ditët e fundit nuk kemi pasur raporte, të cilat tregojnë se ka pasur tentime të tilla”, thekson Stavileci.
Mimoza Kusari Lila, ministre e Tregtisë dhe Industrisë, rithekson se hyrja e mallrave serbe nuk do të lejohet nga asnjë vend fqinj.
Sipas saj, kompanitë e vendeve rajonale janë të interesuara që të rrisin importin e mallrave të tyre në tregun kosovar, për t’i zëvendësuar produktet serbe.
Një interesim të tillë tashmë e kanë shprehur autoritetet maqedonase, thotë zëvendëskryeministrja e Kosovës, Mimoza Kusari Lila.
Top Channel