Që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, gjykatësit dhe prokurorët shqiptarë të gjykatave të Mitrovicës, që gjenden në pjesën veriore të qytetit ende nuk janë kthyer në objektet ku punonin para shkurtit të 2008-s.

Deri më tani, për shkak të rrezikut, rikthimi i tyre është bërë i pamundur. Edhe gati 3 javë pas aksionit të njësive speciale në Veri, ende nuk dihet se kur gjykatësit dhe prokurorët shqiptarë do të kthehen në vendet e tyre të punës.

Ajo që dihet është se sipas zyrtarëve qeveritarë duhet të tregohet kujdes për sigurinë fizike të tyre dhe për këtë nuk ka ndonjë afat.    

“Rendi dhe ligji atje ka disa segmente, unë i kam thënë një herë po i përsëris se janë tri pika kryesore. E para ka të bëjë me kontrollin e plotë të pikave doganore, çfarë kemi filluar ta bëjmë. Pjesa e dytë ka të bëjë me forcimin e zinxhirit komandues në Policinë e Kosovës dhe e treta në funksionimin e gjykatave dhe prokurorive. Këto janë pjesë që do bëjmë me kohë, me aktivitete të koordinuara dhe gjithmonë të kujdesshëm për sigurinë fizike të gjyqtarëve dhe prokurorëve tonë”, u shpreh zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi.

Sidoqoftë, deri më tani vetëm gjyqtarët e misionit europian EULEX, ndajnë drejtësinë në atë pjesë të Kosovës. Në anën tjetër zëvëndëskryeministri Hajredin Kuçi ka folur edhe për mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që mbahet për Kosovën, ku situata e krijuar në Veriun e Kosovës pritet të jetë tema bosht. Sipas tij, Kosova pret mbështetje edhe nga Këshilli i Sigurimit.

“Ajo çka mund të them është që veprimet tona nuk janë veprime të veçanta, janë në përputhje të plotëme kartën e OKB-së, me vlerat evropiane, vlerat euro-atlantike dhe me vlerat që secili shtet demokratik i merr brenda territorit të vet dhe kështu besoj që do të reflektohet. Natyrisht që do të reflektohet edhe cënimi që është tentuar apo është bërë nga Serbia pjesës së territorit tonë dhe unë mendoj që problemi është më shumë në anën e Serbisë përballë Kosovës, ndërsa Kosova po ushtron të drejtën e vet dhe presim që të kemi mbështetje nga Këshilli i Sigurimit në ushtrimin e të drejtës tonë për rend dhe lidh dhe ndarjen e dukurive negative në atë pjesë të territorit tonë”, shtoi Kuçi.

Ndryshe, pas ndërhyrjes së njësive speciale në veri të Kosovës, Këshilli i Sigurimit pati zhvilluar konsultime me dyer të mbyllura, për të diskutuar për situtatën e tensionuar në Veri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA