Mediat: Bogdani duhet të largohet nga Çezena

11/08/2011 10:30

E ardhmja e Erjon Bogdanit për sezonin e ardhshëm duket se nuk do të
jetë e garantuar te Çezena. Klubi romanjol, me të cilin sulmuesi
shqiptar ka milituar në sezonin e fundit, ka blerë mbrojtësin e Penarol,
Guilermo Rodrigez.

Por kjo blerje duket se do të çojë pikërisht në shitjen e Bogdanit, në mënyrë që të lirohet një vend për një ekstrakomunitar. Tani do të mbetet për t’u zbuluar nëse Çezena do të rikthehet në merkato për të blerë një sulmues të fortë fizikisht, i cili pas largimit të shqiptarit do t’i mungonte kësaj skuadre.

Një pistë për zëvendësimin e Bogdanit do të ishte Ghezal. Kjo situatë e shikon Bogdanit të papërfshirë në planet e trajnerit, i cili gjithsesi pak ditë më parë kishte deklaruar se sulmuesi shqiptar i nevojitet ende skuadrës. Gjithsesi, për Bogdanin nuk mungojnë ofertat.

Për të interesohet Padova, Novara, por edhe disa klube të huaja. Për momentin pista më e mundshme është ajo e kalimit të tij te Novara, ku luan edhe Samir Ujkani. Por, nga ajo që ka lënë të kuptohet vetë shtatlarti gjatë prononcimit të tij në konferencën për shtyp në Tiranë, transferimi në këtë skuadër do të bëhej vetëm nëse klubi i sapongjitur në Serinë A italiane do t’i ofronte një kontratë dyvjeçare. Në të kundërt, Bogdani zgjedh më mirë të qëndrojë te Çezena.

Top Channel