
Kuvendi nuk u jep lekët e lejeve deputetëve. Kriza ekonomike, e
mospagimit të pagës së lejes, duket se ka prekur dhe vetë institucionin
ligjvënës, i cili ka shtyrë për në muajin shtator pagën që lidhet me
gushtin, që përkon me pushimin zyrtar të deputetëve
Sipas burimeve pranë deputetëve demokratë , “Shqip” meson se atyre u është thënë se paga e gushtit, e cilësuar si e lejes është vendosur t’u jepet për në muajin shtator. Nuk jepen arsye zyrtare, por deputetët e mazhorancës, duket se po pësojnë fatin e atyre të opozitës, duke u penalizuar me pagën mujore.
Kjo mund të lidhet dhe me faktin e ndryshimit të bërë për buxhetin e shtetit për gjashtëmujorin e dytë të realizuar në 14 korrik të këtij viti. Kuvendi, ndërkohë, për të dytin muaj rresht nuk u ka dhënë pagën e muajit korrik deputetëve të PS-së.
Të 61 deputetët e opozitës janë penalizuar sërish për shkak të bojkotit të tyre, duke bërë që të marrin vetëm 10% të pagës së tyre. Sipas ligjit, 10% e pagës së deputetit nuk preket. Opozita, pas zgjedhjeve të 8 majit nuk mori pjesë në seanca, duke mbajtur një qëndrim politik në lidhje me këtë çështje. Por kjo nuk e pengoi Parlamentin që të mbajë pagat e 61 deputetëve të opozitës. Ndërkohë që një gjë e tillë u cilësua si hakmarrje nga ana e kryeparlamentares.
Paga deputetit shkon në 152.000 lekë në muaj. Mbi bazën e kësaj socialistëve u është dhënë vetëm 15.200 lekë. Për shkak të përplasjeve mes opozitës dhe kryeparlamentares Topalli për çështjen e pagave, mazhoranca vendosi të realizojë ndryshimin e Rregullores për çështjen e pagesës së deputetëve.
Kështu, në bazë të ndryshimeve të rregullores është përcaktuar se “paga e deputetit përbëhet: 40 për qind nga pjesëmarrja në seanca plenare, 50 për qind nga pjesëmarrja në mbledhjet e komisioneve dhe 10 për qind nga pjesëmarrja në veprimtari të tjera”.
Sipas vendimit të Kuvendit, nga mospjesëmarrja në seancë apo mbledhje hiqen edhe dietat, shpenzimet e transportit, shpenzimet telefonike dhe strehimi. Deputetët e opozitës ndaj këtij veprimi të Kryetares së Kuvendit kanë kërkuar që ky fond i parashikuar për pagat e tyre të mos shkonte për shpenzime operative, por për buxhetin e këtij institucioni.
Opozita pati ngritur një komision hetimor mbi shpenzimet e Kuvendit, ku disa herë kanë kërkuar që të njiheshin me mënyrën e përdorimit të këtyre fondeve, por nuk u është vënë në dispozicion një pasqyrë e detajuar për shpenzimet e kryera. Një pjesë e konsiderueshme e fondeve të buxhetit të Kuvendit shkon për pagat e 140 deputetëve dhe për trajtimin e tyre suplementar.
Top Channel