Lala: Të eliminojmë defektet që u panë me Bosnjën

10/08/2011 13:30

Kapiteni Altin Lala nuk i ka lënë batutat e tij të zakonshme edhe në
konferencën e djeshme për shtyp. Ndërkohë që vëmendja e tij dhe e gjithë
kombëtares është te miqësorja me Malin e Zi.

Veterani i mesfushës është në perëndimin e karrierës së tij, por ai nuk është dorëzuar asnjëherë. “Faktikisht, kam një vit që luaj dhe jam stërvitur. Edhe këtë vit e kemi nisur me fitore. Fizikisht ndihem mirë, më mirë se dy-tre vitet e fundit. Kam bërë stërvitje të fortë”.

Më pas komenton përballjen me Malin e Zi. “Ndeshjet miqësore janë të rëndësishme për lojtarët, pasi dhe përballja me Francën nuk është dhe aq larg, sqaron Lala. Është një ndeshje që ne mund të rregullojmë defektet që kemi pasur me Bosnjën. Për të pasur dhe një ide para Francës. Natyrisht ky është një testim. Jam optimist se do të bëjmë një lojë më të mirë sesa ajo që bëmë me Bosnjën. Ishte një ndeshje jo e mirë e jona, por Bosnja ishte shumë lart në krahasim me ne. Nuk duhet t’i përsërisim më ato gabime”.

Shqipëria e ka mundur Malin e Zi 1-0 vetëm një vit më parë, madje në shtëpinë e tyre, por tani kohët duket se kanë ndryshuar. Malazezët po bëjnë eliminatore të shkëlqyer dhe renditen mes 15 ekipeve më të mira në Europë.

Mali i Zi vjen nga një shkollë sportive e ish-Jugosllavisë. Kanë një infrastrukturë shumë të mirë sportive, shumë më të lartë se e jona. Kanë kualitete të mirë lojtarësh. Është një skuadër shumë e fortë”, tha në fund të prononcimit të tij Lala.

Top Channel