Kuzhe: Rinovimi, jo kohë për eksperimente

10/08/2011 12:00

Për të parë një kombëtare të rinovuar duhet pritur ende, pasi trajneri i
skuadrës kuqezi, Josip Kuzhe, do t’u besojë futbollistëve aktualë të
paktën deri në fund të këtyre eliminatoreve.

Këtë ka lënë të kuptohet tekniku kroat, ku po fliste dje në konferencën e shtypit para miqësores së sotme me Malin e Zi.

Cili është formacioni që do të zbritni në fushë?

Nuk është sekret. Do të luajnë 17-18 lojtarë. Në 11-she do të jenë Ujkani, Dallku, Curri, Cana, Vangjeli, Lala e Bulku. Majtas Agolli dhe djathtas janë tre lojtarë në balotazh, Hyka, Bakaj e Muzaka. Në sulm Bogdani dhe Salihi.

Pritej që kjo miqësore të shërbente për të integruar lojtarët e rinj, por ju keni thirrur sërish veteranët…

Ju e dini, rindërtimi i skuadrës është proces. Ne në këtë moment po mendojmë për dy ndeshje eliminatore. Nuk do të bëjmë ndryshime si në miqësoren me Slloveninë. Nuk ka kohë për eksperimente, sepse dy ndeshjet Franca dhe Luksemburgu janë te dera. Kemi vendosur që të luajmë me këta lojtarë. Pas këtyre ndeshjeve do të konsiderojmë gjithçka dhe nëse jemi jashtë objektivave do të flasim për të rinj në skuadër. Nuk është shumë e lehtë ta bësh rinovimin.

Flitet se miqësorja dhe dy ndeshjet e ardhshme vendosin për zgjatjen e kontratës tuaj

Në radhë të parë ju garantoj se nuk e çoj në mendje këtë gjë. Kjo është e vërteta. Më besoni. Dua që ndeshjet të mbarojnë dhe federata të marrë një vendim profesional, pra të analizojë në fillim punën dhe më pas të vendosë. Unë mendoj për të fituar ndeshjet. Për të bërë një atmosferë pozitive dhe për të marrë fitore në çdo ndeshje. Kjo që po them mund të ketë lidhje me atë që thoni, por më besoni, s’po e kaloj në mendje këtë histori. As kam folur me njeri për këtë histori.

Ju vetë a keni dëshirë që të vazhdoni nën drejtimin e Shqipërisë?

Kur erdha këtu gjeta një ambient të mirë, ndërsa tani ndihem shumë më mirë. E them, se FSHF-ja duhet të analizojë ndeshjet dhe të marrë një vendim përfundimtar. Unë ndihem shumë mirë këtu si për sa i përket futbollit, por edhe të tjerave. Por nëse më pyesni për të ardhmen ju garantoj se Shqipëria mund të krijojë një skuadër shumë të mirë me këtë grup. Në eliminatoret e ardhshme shoh shansin e madh. Besoj se mund t’ia dalim.

Cila është strategjia juaj për përgatitjen e ndeshjes me Francën?

Ka disa mënyra që të ndërtosh një ndeshje. Sigurisht ne përgatitemi për ndeshjen me Francën. Nëse duam rezultat të mirë duhet të shënojmë gol. Do të përdorim ndeshjen me Malin e Zi për të ndërtuar idetë tona. Sa i përket aspektit mbrojtës ne kemi kohë sesi do ta ndërtojmë lojën në prapavijë. Është më e thjeshtë të ndërtosh një strategji mbrojtëse. Nuk do të jetë e njëjta taktikë që do të përdorim në ndeshjen me Francën, por do të mundohemi që të vëmë në jetë idetë. Pak a shumë do të luajmë si me Bjellorusinë.

Si do ta komentonit shortin?

Short shumë i mirë. Për Shqipërinë është shumë i mirë. Nëse më pyesni të bëj krahasim me skuadrat e tanishme është grup më i lehtë. Shoh një shans të madh për Shqipërinë për të bërë më shumë se zakonisht. Duhet të punojmë seriozisht për të bërë diçka të madhe. Ndeshjet fillojnë 0-0. Norvegjia apo Zvicra nuk kanë shumë avantazh ndaj nesh. Mund të kenë eksperiencë në finalet e një kompeticioni të madh e vetëm kaq.

Top Channel