“Në pikën 31 janë prezente autoritetet e NATO-s, Policia e Kosovës dhe doganierët e Kosovës.”

Pesë ditë nga kjo deklaratë publike, Qeveria e Kosovës e demanton vetveten. Deklaratat e kryeministrit Hashim Thaçi se në pikën 31 në veri, janë të pranishëm doganierët e Republikës së Kosovës dolën se janë të pavërteta.

E vërteta është se këto pika kufitare janë shpallur si zona ushtarake nga KFOR-i dhe që nga ai moment janë nën kontrollin e plotë të autoriteteve ushtarake të KFOR-it.

“Pika 1 dhe 31 janë pika ushtarake dhe është i ndaluar qarkullimi i mallrave komerciale. Përsa i përket doganierëve, ata do të fillojnë punën sapo të krijohen kushtet”, u shpreh Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër i Kosovës.

Edhe autoritetet policore kosovare, nga data 27 korrik, nuk janë parë më në veri. Zëvendëkryeministri Hajredin Kuçi e vlerëson të një rëndësie të veçantë bashkëpunimin me KFOR-in për këtë pjesë. Por, se çfarë do të ndodhë pas 15 shtatorit, kur marrëveshja me KFOR-in do të përfundojë, numri dy i qeverisë dha këtë përgjigje: “E sigurtë është që Kosova do ta ketë tërësinë e saj territoriale pas 15 shtatorit dhe do të jetë shtet demokratik.”

Kryeministri Hashim Thaçi, në mbledhjen e qeverisë, njoftoi se janë hequr edhe disa barrikada nga rrugët magjistrale. Ai paralajmëroi se nuk do të ketë perspektivë për ata që prishin rendin dhe qetësinë në veri.

Duke folur për masat e reciprocitetit tregtar ndaj Serbisë, ministrja e tregtisë Mimosa Kusari Lila, tha se kompanitë kosovare kanë filluar të rrisin kapacitetet prodhuese për shkak të rritjes së kërkesës për mallrat vendase.

Ajo njoftoi se ka përgatitur instruksione konkrete për Ministrinë e Brendshme dhe KFOR-in, instruksione këto të cilat sipas ministres përmbajnë sasinë dhe listën e mallrave që guxojnë të hyjnë nga pikat kufitare në veri tëKosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA