Cana: Mali i Zi është një test i nivelit të lartë

10/08/2011 12:35

Lorik Cana vjen në kombëtare me ndryshime të mëdha. Tani ai është lojtar
i Lacios, ku thekson se ndihet shumë mirë. Me klubin e ri ka bërë një
fazë përgatitore model.

Por tashmë përqendrimi është maksimal për sfidën e sotme miqësore ndaj Malit të Zi.

“E njohim kundërshtarin, analizon Cana. I kemi parë rezultatet e tij. Po bëjnë eliminatore model. I kanë mahnitur të gjithë. Janë një skuadër me potencial. Lojtarët e tyre luajnë në skuadra shumë të mira. Është kundërshtar i nivelit të lartë. Ka arritur më shumë se kushdo në pak kohë. Edhe më shumë se ne. Por ne jemi në rrugën tonë. Kemi pasur një frenim, por e dimë shumë mirë ku duhet të shkojmë. Është ndeshje e mirë për të provuar veten. Trajneri na ka thënë që do të luajnë të gjithë. Përgatitje e mirë për ndeshjen me Francën”.

Më pas mesfushori shqiptar i Lacios thekson se diferenca mes dy skuadrave tona është e madhe. Por nuk dorëzohet dhe thekson “se nëse përgatitesh mirë dhe në shtëpi ke edhe ndihmën e tifozerisë, mund të arrish rezultate. Më parë e kemi mundur. Do të luajmë prapë për fitore nesër (sot). Është kënaqësi që të luash në Shkodër. Do të mbështetemi te tifozët për të marrë rezultat, edhe pse objektivi është të përgatitemi për ndeshjen e Francës. Kemi ende mundësi për të realizuar gjëra të bukura”.

Pozicioni i tij në kombëtare tashmë është stabilizuar në mbrojtje, ndërsa te Lacio, trajneri Edi Reja i kishte bërë të ditur përpara se e kishte marrë si përforcim për mesfushën. Cana i pëlqen të dyja, por “në kombëtare unë jam stabilizuar në mbrojtje, sepse aty duhem më shumë. Këtë e bëj gjithë qejf”. Ai është i kënaqur për kalimin te Lacio, por konkurrenca për një vend në 11-she atje është e fortë. Kohët e fundit ai u kthye në një çështje në klubin e ri. “Është e vështirë të fitosh vendin e titullarit, rrëfen ai. Të gjithë duan të luajnë gjithmonë, por është e pamundur. Trajneri ka provuar disa skema loje, sepse ka shumë lojtarë. Ai ende nuk e ka të qartë se ku do të luaj dhe si mund të luaj, ndonëse unë mund të luaj në disa pozicione. Me trajnerin kam marrëdhënie të mirë, si edhe me shokët, por mediat mundohen të kapin diçka interesante me ata lojtarë që kanë luajtur diku tjetër”, përfundoi Cana.

Top Channel