Analisti i njohur i çështjeve ballkanase, Daniel Server, ka deklaruar se propozimet për ndarjen e Kosovës mund të shkaktojnë tensione në Maqedoni, Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë.

Në një intervistë për një të përditshme maqedonase, Server është shprehur se shqiptarët e Maqedonisë nuk duhet ta keqpërdorin këtë situatë.

“Roli i duhur i liderëve shqiptarë në Maqedoni do të ishte të përpiqeshin për të siguruar që forcat politike panshqiptare të mos e përdorin këtë situatë, por kjo nuk do të jetë e lehtë”, ka deklaruar Server.

Nga ana tjetër, analistët shqiptarë nga Maqedonia vlerësojnë se nëse realizohet autonomia substanciale në Veri të Kosovës, do të rriten edhe kërkesat e shqiptarëve të Maqedonisë. Sipas tyre, çfarëdo lloj ndryshimi që do të ndodhë në veri të Kosovës, do të rrisë aspiratat e shqiptarëve të këtushëm.

“Autonomia substanciale mund të ketë implikime edhe në rajonet e tjera ku jetojnë bashkësi etnike që nuk i përkasin etnitetit shumicë, ndërsa Ballkani është i njohur për përzierje dhe heterogjenitet etnik”, thotë për gazetën “Lajm” analisti Naser Zyberi.

Analisti Albert Musliu thotë se nëse ka ndonjë pakicë në Ballkan që ka më shumë të drejta, ato janë serbët në Kosovë. Musliu pohon se në politikë çdo shembull mund të përdoret si argument. Prandaj, sipas tij, edhe subjektet politike shqiptare në Maqedoni mund t’i përdorin si argument atë që do ndodhë në veri të Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA