Beqaj mohon rivalitetin me Ujkanin për portën

09/08/2011 12:35

Arjan Beqaj, tashmë 35 vjeç e di mirë se dalëngadalë do të duhet të hapë
krahun dhe t’i lërë vendin Ujkanit, por portieri i ri i Novarës është
ndihmuar edhe nga situatat jo shumë pozitive të krijuara nga dëmtimet e
shumta të veteranit, dhe tashmë është kthyer në një numër një i
padiskutueshëm për portën e Kombëtares.

Megjithatë, kosovari i skuadrës qipriote, Ermis, thotë se ka ardhur koha që Shqipëria të nisë një epokë të re për portierët, duke theksuar se ai nuk ndien asnjë xhelozi për të riun e talentuar, Ujkani.

“Nuk jam rival me të, rrëfen Beqaj. Në kombëtare kam ardhur për ta ndihmuar dhe nëse do të më kërkohet ndihma ime, jam gjithmonë gati”.

Ndërkohë, më pas dëshiron të flasë me tone pozitive për kombëtaren, madje këtë e bën me optimizëm. Në lidhje me miqësoren kundër Malit të Zi, Beqaj u shpreh se “çdo ndeshje miqësore është në funksion të ndeshjes tjetër. Do të përballemi me një kundërshtar mjaft të fortë, si Mali i Zi. Për mendimin tim është një kundërshtar ideal për ndeshjen tjetër me Francën”. Ndërkohë, një tjetër koment i tij shkon për Zvicrën e kosovarëve të shumtë që luajnë me të, duke e shmangur termin “tradhtar”. “Problemi i shqiptarëve që kanë zgjedhur Zvicrën nuk duhet të gjykohet asnjëherë mbi bazën e vendimeve që marrin njerëz të tillë. Megjithatë, nuk dua të paragjykoj vendimet dhe zgjedhjen e tyre, pasi dhe ata kanë pasur arsyet e veta”.

Top Channel