Kuzhe nuk rinovon, vazhdon me “të vjetrit”

06/08/2011 10:30

Josip Kuzhe i ka befasuar të gjithë, duke mos bërë asnjë surprizë në
listën e lojtarëve që do të grumbullohen për ndeshjen e programuar më 10
gusht në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, edhe pse kjo ndeshje
ishte paralajmëruar si një revolucion për sa i përket rinovimit të
ekipit tonë përfaqësues.

Nuk ka asnjë emër të ri përkundrejt pritshmërisë së madhe. Asnjë surprizë në listën e publikuar nga tekniku kroat. Tekniku kroat kishte bërë të ditur më parë se do t’u japë një shans elementëve të rinj në skuadër për këtë ndeshje, ndonëse thuajse për të gjithë veteranët e skuadrës ka mbërritur tashmë ftesa në klubin e tyre dhe do të jenë të pranishëm në ndeshjen që do të zhvillohet pas gjashtë ditësh.

Kuzhe ka qenë i pakënaqur me faktin që një pjesë e madhe e lojtarëve kryesorë të Kombëtares nuk ka bërë sakrificën e udhëtimit drejt Argjentinës për të marrë pjesë në miqësoren kundër Mesit & co. Megjithatë, ai nuk ka bërë ndonjë prurje të madhe të rejash në skuadër. Nga të rinjtë që u prezantuan në ndeshjen miqësore me Argjentinën nuk ka mbijetuar as mbrojtësi Franc Veliu që u prezantua mirë. Pritej që të ishte një emër debutuesi edhe ai i talentit të Këlnit në Bundesligë, Odise Roshi, i cili ka impresionuar gjatë fazës përgatitore në Gjermani, por asgjë nuk ndodhi.

Janë po fytyrat e zakonshme, edhe disa prej tyre nuk kanë më “këllqe” për të qenë më pjesë e Kombëtares shqiptare: Altin Lala (35 vjeç), Arjan Beqaj (35 vjeç), Klodian Duro (33 vjeç), Erion Bogdani (34 vjeç), duke mos pasur vend as për Ahmed Januzin, Odise Roshin, Agonit Sallaj, Franc Veliun, Armando Vajushin apo Hair Zeqirin. Edhe pse trajneri kroat kishte premtuar ndëshkime për ata që nuk iu bindën për të luajtur në miqësoren e luksit me Argjentinën (të humbur 4-0), ai sërish besoi te garda e vjetër. Një pikëpyetje ishin lojtarët që për momentin ende nuk e kanë një ekip dhe janë në kërkim të saj.

Aktualisht, diçka të tillë po e bëjnë Skela e Duro, që gjithsesi janë stërvitur në skuadra të ndryshme. E ndërsa Kuzhe kësaj radha e ka sakrifikuar Skelën, për Duron nuk vlen e njëjta gjë. Ai do të jetë pjesë e Kombëtares për miqësoren e kësaj fundjave me malazezët. Vitin e kaluar, në të njëjtën situatë Kuzhe i grumbulloi të gjithë. Kundër malazezëve, Shqipëria ka zhvilluar dy ndeshje miqësore, të fituara 5-0 (1946, ndeshja e parë e Kombëtares), ndërsa në ndeshjen e fundit miqësore midis dy ekipeve në 2010-n, të zhvilluar në Podgoricë, kuqezinjtë fituan me rezultatin 1-0 me golin e Hamdi Salihit.

Kjo do të jetë ndeshja e 20 e Kuzhesë në pankinën e Shqipërisë dhe e 11-a miqësore. Në 19 të parat, Kuzhe ka regjistruar 7 fitore, 6 barazime dhe 6 humbje. Kjo miqësore zhvillohet para takimit me Francën (2 shtator) për kualifikueset e Euro 2012. Mali i Zi kryeson me Anglinë në Grupin G të Euro 2012 me nga 11 pikë. Aktualisht, Mali i Zi renditet në vendin e 24-t në FIFA, ndërkohë që për muajin qershor, Shqipëria pozicionohet në vendin e 59. Në rast të një fitoreje ndaj malazezëve në fundjavë, kuqezinjtë mund të përmirësojnë sërish në renditjen e FIFA-s.

Top Channel