F1, Pole Position i Vettel në Hungari

30/07/2011 15:05

Sebastian Fetel rikthehet në pole position këtë fundjavë duke regjistruar kohën më të shpejtë në provat zyrtare të Cmimit të Madh të Hungarisë. 

Kampioni i botës në fuqi ka pritur sekondat e fundit për të regjistruar një kohë perfekte, duke zbritur Ljuis Hamilton në vendin e dytë, i cili sërish iu afrua ndjeshëm vendit të parë në këto prova, por që edhe në këtë pistë ashtu si në Gjermani do të startojë nga linja e parë.

Menjëherë pas tyre në linjën e dytë gjendet Xhenson Baton dhe Felipe Masa respektivisht në vendin e tretë dhe të katërt, ndërsa Fernando Alonso nuk mundi që të arrinte një pozicion më të mirë se sa vendi i pestë, pasi ka gabuar në xhiron e fundit të shpejtë.

Përkrah tij, nga linja e tretë starton garën piloti tjetër i skuadrës Red Bull, Mark Veber.

Një renditje që premton sërish për spektakël ashtu si edhe shtatë ditë më parë në Gjermani. Dyshja e linjës së parë Fetel-Hamilton pritet të jetë agresive po ashtu si edhe pilotët që i pasojnë, duke shtuar edhe dozat e rrezikshmërisë në një pistë të ngushtë si kjo e Hungaroringut.

Gjithçka do të trasmetohet si gjithmonë drejtpërdrejtë në Top Channel ditën e dielë duke filluar nga ora 13 e 50 minuta. 

Top Channel