Gjatë pushimeve të verës, kur secili prej nesh, në një mënyrë apo në një tjetër, kërkon të arratiset nga jeta e përditshme, në valixhen e udhëtimit, shpesh merr me vete edhe një mik…një mik që do ta shoqërojë kur të jetë ulur në një shezllon, apo në verandën e një shtëpie alpine.
Ja çfarë na tregon psikologia Mirela Sula për lidhjen që ekziston midis njeriut dhe librit.
“Në jetën e përditshme ne jemi gjithmonë në lëvizje, në kërkim të plotësimit të afateve të punës, familjes dhe përpiqemi që të lexojmë literatura të ndryshme, por që kanë lidhje me profesionin që ne ushtrojmë. Kurse gjatë stinës së verës zgjedhim një libër më të lehtë, një romancë apo një histori dashurie”, është shprehur Mirela.
Në librari, në bibliotekë apo edhe tek librat që shiten në rrugët e Tiranës shohim njerëz të shumtë, admirues të librit që nuk ngurojnë të harxhojnë një pjesë të buxhetit të tyre për të blerë libra nga më të ndryshmit, që nga romancat e deri tek librat social e politik.
Sonila një nga punonjëset e një prej librarive të kryeqytetit, na tregon librat më të preferuar për shqiptarët në këto ditë.
“Ka lloje të ndryshme librash që preferohen në këtë periudhë, e megjithatë më të kërkuarit janë ‘Një ditë’, tre librat e Stieg Larson apo edhe ‘Fundi i një historie dashurie’. Me pak fjalë kërkojnë libra që kanë një romancë apo një aventurë e që nuk janë libra të vështirë për t’u lexuar”, shprehet Sonila.
Ndonjëherë futemi në botën e personazhit dhe kërkojmë të vihemi në pozicionin e tij. Kërkojmë të kemi bagazhin, familjen, profesionin apo edhe të përjetojmë aventurat që na paraqiten në librin që na ka përfshirë në rrjedhën e ngjarjeve të tij.
Ndonjëherë kërkojmë të lexojmë me një frymë 500 faqe të tëra vetëm për të lexuar përfundimin e tij, por ka edhe nga ata njerëz që proçesin e të lexuarit e zgjasin sa më shumë, për të shijuar çdo fjali të tij.
Por, si e bëjmë në përzgjedhjen e librit? A ndikon jeta jonë në këtë përzgjedhje?
“Ka disa funksione kryesore, së pari është efekti ‘pasqyrë’. Ne zgjedhim një libër që ka si personazh një person të ngjashëm me ne. Së dyti, funksioni ndërmjetësues. Ne përpiqemi që ato ngjarje dhe situata që shohim tek personazhi t’i vëmë në zbatim edhe në jetën e përditshme”, thotë Mirela.
Periudha sezonale, autori, titulli apo edhe mosha e lexuesit janë faktorë të rëndësishëm në përzgjedhje.
“Grupmoshat mbi 50 vjeç preferojnë më shumë librat historik, filozofik e që ndoshta kanë lidhje edhe me jetën e tyre. Këtu mund të përmend librin e Kadri Hazbiut apo edhe librin e Faik Konicës”, shprehet Sonila.
Është periudhë pushimesh, por ka nga ata njerëz që vazhdojnë të punojnë e të jenë të angazhuar. Por ka edhe nga ata që preferojnë më shumë të shohin një film apo të dalin me shoqërinë sesa të lexojnë një libër.
E megjithatë, një tjetër kategori njerëzish arrijnë të gjejnë gjithmonë pak kohë për të lexuar librat më të fundit në vitrinë.
Top Channel