Uruguaji, mbreti i ri i Amerikës

25/07/2011 08:00

Uruguaji ka fituar Kupën e Amerikës duke mundur me rezultatin 3-0 Paraguajin në stadiumin Monumental të Buenos Airesit, në Argjentinë.

Në ndeshjen e fundit të turneut amerikan të zhvilluar në Argjentinë, Uruguaji triumfon duke mbyllur gjithçka që në pjesën e parë. Suarez zhbllokon rezultatin në minutën e 12-të të takimit falë edhe një devijimi të një mbrojtësi, ndërkohë që paraguajanët përgjigjen vetëm me lojë fizike shumë të ashpër e pa ndonjë rast të rrezikshëm për të shënuar.

Në mbylljen e 45 minutave është sërish Uruguaji që shënon për herë të dytë, këtë herë me Diego Forlan. Areval Rios i “vjedh” një top mbrojtësit paraguajan për të servirur më pas për Forlan i cili nga brenda zonës së rreptësisë me një të majtë dyfishon shifrat.

Edhe pjesa e dytë është me të njëjtin ritëm, Uruguaji që qarkullon topin e Paraguaji me shumë pak raste të rrezikshme. Në fundin e lojës sërish uruguajanët i afrohen golit të tretë dhe e arrijnë atë në minutën e 89-të me një kundërsulm, ndërkohë që autori mbetet i njëjti, Diego Forlan.

Në këtë mënyrë Uruguaji kalon në vendin e parë për skuadrat më të titulluara në Amerikën Latine duke kaluar Argjentinën pasi ngjitet në kuotën e 15 trofeve, ndërsa Paraguaji mbetet në kuotën e 3 trofeve të Kupës së Amerikës.

Top Channel