Programet që jepnin shpresa se borxhi publik do të rifillonte të ulej
sërish drejt niveleve më të qëndrueshme tashmë janë rrëzuar
përfundimisht. Qeveria justifikohet se niveli aktual i borxhit nuk
përbën asnjë kërcënim për ekonominë nëse mbahet nën kontroll.
Por ky argument duket i sforcuar për disa arsye. Së pari, Shqipëria ka një buxhet të vogël, jo vetëm në vlerë, por edhe ndaj prodhimit kombëtar. Edhe në vitin më të mirë të ardhurat qeverisë nuk e kanë kaluar shifrën 27% e prodhimit të përgjithshëm. Kjo bën që sot borxhi publik të tjetë 2.3 herë më i lartë se sa të ardhurat që mbledh buxheti, tregues ky që berzh thotë se është më i përkeqësuari në ekonomitë në zhvillim. Së dyti mbajtja e borxhit në nivele të larta ka rritur koston e shërbimit të tij.
Qeveria shpenzon tani 13 lekë për cdo 100 lekë që mbledh në buxhet për interesa dhe shlyerje borxhi, një tregues ky i denjë për t’u krahasuar me vendet që sot konsiderojnë alternativën e falimentit buxhetor dhe që mund të rritet edhe më shumë, kur Shqipërisë do t’i duhet të shlyejë kreditë e marra në vitet e para të tranzicionit.
Së treti ndryshimet e programeve të borxhit përcjellin në publik mesazhe pasigurie. Zotimi i qeverisë për uljen e borxhit u adresohej së pari investitorëve dhe kryesisht atyre të huaj. Rrëzimi i këtij premtimi e bën tani vendin me një precedent negativ, që rëndon kur qeverisë do ti duhet të dalë sërish në tregjet e huaja për të marrë borxh, sic bëri vitin e kaluar.
Së fundmi administrimi i borxhit është një cështje delikate, që mpleks vec anës ekonomike edhe dimensionin politik. Me shifrat zyrtare qeveria është duke e lënë borxhin në vitin zgjedhor 2013 gati në të njëjtat nivele sa e gjeti në 2005-ën, kur ajo erdhi në pushtet. Një rrotacion i mundshëm politik i jep qeverisë së ardhshme, cilado qoftë ajo, të drejtën morale për t’u sjellë me financat e shtetit në të njëtën mënyrë duke e mbajtur ekonominë të mbërthyer nga borxhi i lartë.
Top Channel