Mediat, OSBE kritika për ligjin e ri

19/07/2011 19:50

Zyra e prezencës së OSBE-së në Tiranë ka dhënë vëretjtjet e saj në lidhje me p/ligjin e ri që po diskutohet në komisione parlamentare për transmetimet me zë dhe figurë në Republikën e Shqipërisë.

Vërejtjet janë sa teknike, aq edhe thelbësore. Psh. neni 4, që përcakton parimet themelore, ndër të tjera thotë se veprimtaria e transmetimeve me ze dhe figure nuk lejohet te cenoje rendin kushtetues, sovranitetin dhe integritetin kombetar.

Mirëpo a është kjo detyrë e medias në një shtet demokratik të ruajë rendin kushtetues, pyet OSBE? A nuk është kjo detyrë e qeverisë së Shqipërisë, parlamentit, policisë dhe ushtrisë?

Në të njëjtën vërejtje, OSBE i referohet nenit 70.3, ku thuhet se shkelja e parashikimeve të ligjit çon në revokimin e licensës. A mos nuk janë shumë të përcaktuara kushtet, e kësisoj të krijojnë pasiguria ligjore, pyet OSBE.

Duke vijuar më poshtë, në neni 19, që flet për funksionet e organit të ri që krijohet, Këshilli Kombëtar i Transmetimeve, OSBE vëren, duke e nënvijëzuar me të zezë, se nuk është e qartë ku janë kriteret e licensimit në ligj?

Duke qenë se ato janë kyçe për lirinë e medias dhe aksesin në treg, vijon komenti, mos duhet të vendosen nga parlamenti dhe këto kritere licensimi të përfshihen në ligj?

OSBE shtron disa pyetje edhe në lidhje me kompetencat e shumta të ministrit për teknologjinë e informacionit, nëse këto kompetenca anashkalojnë pikërisht këshillin kombëtar të Transmetimeve.

Vërejtjet vazhdojnë me kompetencën e KKT-së për të prodhuar dhe shpëndarë ajo programe, cka mund ta vënë në kompeticion me operatorët privatë, duke i hequr asaj karakterin mbikqyrës.

Neni 35, që prek direkt redaksitë e lajmeve, fut detyrime në dukje të drejta për redaksitë, si transmetimi i lajmeve në mënyrë të vërtetë dhe të paanshme, duke mos shprehur pikëpamjet redaksionale në lidhje me lajmin, detyrimi për t’i kushtuar një minutazh të caktuar lajmeve, të cilat nuk duhet të cënojnë dinjitetin e qenieve njerëzore dhe të drejtat themelore të të tjerëve, apo detyrimi që programet të mos cënojnë rregullat e etikës dhe moralit publik.

Mirëpo qysh në titull të nenit OSBE vëren nëse kjo dispozitë mundohet të rregullojë gjerësisht “Etikën në Media”? A nuk do ishte më e mira që etika e medias të rregullohej me anë të vetërregullimit nga ana e medias, vijon komenti.

Aty ku thuhet se lajmi duhet të jetë i vërtetë apo i paanshëm, OSBE shtron pyetjen se kush e përcakton çfarë është e vërtetë apo e paanshme?

Në detyrimin që mes orës 7 dhe orës 19 një televizion duhet të transmetojë jo më pak se 20% lajme, vec në rastet kur licensa e lëshuar nga Këshilli Kombëtar i Radio-Televizionit parashikon ndryshe, këtu OSBE ka bërë një përllogaritje:

20% është e barabartë me 12 minuta në një orë. As BBC nuk e bën këtë. A nuk është kjo një ndëryrje e rëndë në politikat editoriale dhe programimin e një mediaje, pyet OSBE.

Po programet e një interesi të veçantë, kanalet muzikore, të cilët mund të duan të operojnë pa lajme, a janë të ndaluar këto kanale? Si lidhet kjo me nenin 70 për revokimin e licensave dhe nenin 130 për sanksionet, vijon përsëri komenti.

OSBE bën një pyetje retorike, kur thotë se a nuk është ndalimi i opinionit një ndërhyrje e rëndë në Lirinë e Medias dhe Lirinë e Shprehjes?

Në fakt neni 35 i këtij projekt/ligji është një nga nenet më të komentuar në vërejtjet e OSBE-së. Mbetet për të parë se sa do të pasqyrohen në projektin final vërejtjet jo vetëm të OSBE-së, por edhe të grupeve të interesit, në një ligj shumë të rëndësishëm që rregullon jo vetëm marrëdhëniet e operatorëve privatë, por krejt lirinë e shprehjes dhe raportin e mediave elektronike me qeverinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA