Siria e ka dënuar dhe e ka cilësuar si “provokuese” deklaratën e sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton se presidenti Bashar al Assad ka humbur legjitimitetin për të qeverisur.
Pasi një turmë sulmoi ambasadën amerikane të hënën në Damask, zonja Clinton tha se Assad nuk është “i domosdoshëm” për vendin e tij.
Agjencia shtetërore siriane e lajmeve, “SANA”, deklaroi se deklarata e zonjës Clinton është një provë më shumë e ndërhyrjes së SHBA në cështjet e brendshme të Sirisë.
Ndërkohë, presidenti Barack Obama, në një prononcim për rrjetin CBS ditën e martë, përsëriti fjalët e Clinton. “Assad po humbet gjithnjë e më shumë legjitimitetin në sytë e popullit të tij”, deklaroi Obama.
Edhe Franca kritikoi gjithashtu regjimin sirian pasi ambasada e saj u sulmua nga besnikët e Assad, të cilët plagosën disa anëtarë të personelit.
Top Channel