Alqi Kareco, mjeshtri “i padukshëm”

12/07/2011 18:50

U fol shumë pak për të. Në ditët e fundit të qershorit, kur ai u largua nga jeta heshturazi, për mos tu kthyer më. 

Pionieri i orkestrimit në Shqipëri, në 25 qershor i tha “lamtumirë” botës ku jetoi dhe njerëzve të tij të dashur, duke lënë pas një pasuri të çmuar për artin dhe muzikën e vendit të tij.

Pothuajse e gjithë jeta e tij kaloi mbi tastierën e pianos dhe fletët e pentagrameve, duke shkruar orkestrime pa fund, për Estradën e Tiranës, koncertet e majit, festivalet e ushtarit, si dhe festivalet e këngës në Radio-Televizion. I gjithë ky enumeracion togfjalësh mjafton për të kujtuar kontributin e tij.

Në fund të viteve `50-të, atëherë kur orkestrimi konsiderohej si një fushë e panjohur, “fatin” e këtij specialiteti e mori në dorë Alqi Kareco, themeluesi i Teatrit të Varietesë së Tiranë, mjeshtri që e shtriu karrierën e tij në 40 vjet mes aranxhimit dhe kompozicionit, që zgjodhi të kombinonte në jetën e tij punën me talentin, deri  në atë pike sa nuk dihej ku niste njëra dhe mbaronte tjetra, i njohur si kompozitor i shquar.

Maestro Kareco, për dekada me radhë, solli një krijimtari të pasur muzikore. Falë përkushtimit të tij u formuan profesionalisht me qindra këngëtarë. Janë të rrallë ata emra që në vitet e ish-regjimit komunist nuk kanë interpretuar këngët e orkestruara prej mendjes së tij. Bashkëshoqërimi në 2000 orkestrime të Agim Prodanit e më tej orkestrimet në estradën e Tiranës, dirigjimi, loja në piano e bënë të famshëm.

Kujtojmë nëpër festivale që portreti i Karecos nuk shfaqej kurrë. Në planin më të afërt të kamerës do të fokusoheshin vetëm duart e tij në tastierë. Deri këtu ishte kufiri, të cilin Kareco e respektoi deri në fund. Edhe pse kishte orkestruar mbi 5 mijë këngë, ai do të kujtohet si “njeriu i thjeshtë që punoi dhe jetoi me muzikën”.

Tingëllima  e pianos apo muzika që frymëzoi do të jenë gjithmonë “një rekuiem”  për Artistin e Merituar dhe njeriun e mirë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA