Webber: Mora urdhër të mos sulmoj

11/07/2011 21:45

Mark Webber rrëfen gjithçka. Pas vendit të tretë të marrë në Çmimin e Madh të Britanisë, piloti i Red Bull thotë versionin e tij për garën, nëpërmjet faqes personale në internet, duke sulmuar skuadrën e tij, Red Bull.

“Më thanë katër herë që të qendroja në distancë nga Vettel. Unë nuk isha i lumtur sepse në Formula 1 nuk duhet të tërhiqesh kurrë. Kështu që vazhdova të ecja shpejt. Nëse Alonso do tërhiqej në xhiron e fundit, ne do kishim luftuar për vendin e parë”, shton australiani, që dje preku finishin vetëm katër të dhjetat nga shoku i tij i skuadrës, Sebastian Vettel.

“Skuadra ishte e shqetësuar se Sebastian dhe unë mund të dëmtoheshim, donte të siguronte pikët për botërorin e ndërtuesve. E kuptoj, por edhe unë doja të bëja pikë për Botërorin. Edhe në të shkuarën kemi treguar se mund të sfidojmë njeri-tjetrin pa u përplasur”, theksoi ai.

Top Channel