Bankat islamike katërfishojnë financimin

11/07/2011 08:00

Ishte muaji qershor i vitit 1993, kur kuvajtianët lëshuan çekun e parë me vlerë 2.7 milionë dollarë (KËD) për sektorin e transportit.

Në atë kohë, qeveria shqiptare kishte shumë nevojë për mbështetje financiare, për shkak të ndryshimeve të forta politike dhe ekonomike. Pas dy vjetësh, vendit tonë i shtohen dhe dy partnerë, po nga bota arabe, në mars të 1995-s me 6 milionë dollarë nga OPEC-u për ujitjen në sektorin e bujqësisë dhe në maj nga Banka Islamike për Zhvillim për Ndërtimin e Spitalit të Durrësit.

Përfshirja e Shqipërisë në Konferencën Islamike me të drejta të plota i dha mundësi vendit të forconte edhe më shumë marrëdhëniet me botën arabe, e kësisoj të përfitonte financime me kushte të buta tregtare. Një pjesë e mirë e financimeve kanë qenë grant dhe kanë shkuar për sektorin e transportit dhe të ujitjes.

Duke parë regjistrin e kredive, mbajtur nga Ministria e Financave, mësojmë se deri në fund të vitit 2006, nga bankat arabe, Shqipëria kishte mundur të merrte rreth 95 milionë euro (konvertim zyrtar i ministrisë). Shuma konsiderohet e vogël në raport me institucionet e tjera, por me kalimin e kohës pëson rritje të ndjeshme. Sipas gazetës ‘Shqip’, brenda pesë viteve, këto banka, kryesisht IDB dhe OPEC-u e rritën me rreth 81 milionë euro borxhin për Shqipërinë. Nëse llogarisim edhe 250 milionë eurot që do të merren për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan, atëherë dalim në konkluzionin se që prej vitit 2006 e deri në qershor të 2011-s, financimi nga institucionet arabe pëson rritje me katër herë.

Përveç faktit se jemi anëtarë me të drejta të plota të Konferencës Islamike, Shqipëria zotëron aksione edhe te Banka Islamike për Zhvillim (IDB), në masën e 0.5 përqindëshit. Kjo natyrisht ka ndikuar në rritjen e portofolit të kredive, duke pasur parasysh edhe faktin se me aksionerin kryesor, Arabinë Saudite, Shqipëria i ka forcuar marrëdhëniet politike dhe ekonomike.

Në raport me totalin e kredive të marra nga bankat dhe shtetet e ndryshme të botës, institucionet financiare arabe kanë një peshë prej 15 përqindësh (rreth 422 milionë euro). Ministria e Financave deklaron se të tjera financime pritet të shtohen, duke qenë se kushtet janë tepër të favorshme.

Bankat dhe institucionet islamike kanë financuar projekte të ndryshme, të sektorit rrugor, të transportit, ujitjes në bujqësi, ujit të pijshëm dhe në shëndetësi.

Kështu, Fondi i Kuvajtit së bashku me Fondin Saudit kanë financuar ndërtimin e by pass-it të Durrësit. Fondi i OPEC ka kontribuar për ndërtimin e rrugëve sekondare lokale, me vlerë 11 milionë euro, për projekte që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm rural dhe për autostradën Milot-Rrëshen, pjesë e projektit Durrës-Kukës.

IDB-ja, financuesi kryesor, me mbi 45 për qind, ndaj totalit të partnerëve arabë, ka financuar rikonstruksionin e rrugës Vorë-Rinas-Fushë Krujë, ndërtimin e Portit të Peshkimit Durrës, rrugën Kalimash-Rexhepaj, pjesë e Durrës-Kukës, si dhe për ndërtimin e spitaleve rajonale të Durrësit dhe Kavajës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA