Rrugë të vjetra mbi qytete të rinj

07/07/2011 21:05

Një rrugë pedonale për kryeqytetin, por kur kjo ngrihet mbi gjurmët e një rruge antike bëhet akoma më e veçantë. Me një gjatësi rreth 800 metra kjo rrugë lidh bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me një nga monumentet e kulturës në Tiranë, me Urën e Tabakëve.

Restauratorja Shpresa Prifti, tregon për periudhën historike të kësaj rruge.

“Padyshim që kjo është një nga arteriet kryesore, banesat e familjeve të njohura si Toptanësit, fakti që këtu kemi ndërtuar një kala tregon për shtrirjen e qytetit në këtë zonë”, shprehet Prifti.

Megjithë funksionet tepër të rëndësishme të asaj periudhe, vitet e mëvonshme duket se nuk do ta bënin më këtë rrugë më të rëndësishmen. Zhvillimi i qytetit dhe shtimi i numrit të banorëve bënë që hapësira publike të zgjerohej. Në ditët e sotme ku në Tiranë mbizotëron betoni dhe asfalti, lind nevoja për një rrugë me elementë antikë edhe pse jo shumë të ngjashëm me origjinalin.

“Këtu është fjala për një projekt të BE-së për restaurimin e qendrës historike. Ky projekt nuk është një restaurim i mirëfilltë, kjo për faktin se po të shikosh rrënojat e kalasë rrugët janë me kalldrëm”, thotë Prifti.

Megjithatë siç tregon arkitektja Prifti ky projekt nuk e ka në qendër të vëmendjes rindërtimin e rrugës mesjetare. Projekti i shërben objekteve kulturore që ndodhen në këtë rrugë.

“Ky është më tepër një projekt që ka për qëllim vlerësimin e monumenteve, për t’iu siguruar atyre një ekspozim. Bëhet fjalë për urën e tabakëve si dhe muret e kalasë së vjetër”, thekson Prifti.

Siç ndodh me shumë restaurime, në ditët e sotme, shtohen shumë elementë të rinj. Megjithëse kjo pranohet si një domosdoshmëri nga restauratorët, përdorimi pa kriter i tyre mund të dëmtojë imazhin e objektit dhe e bën restaurimin jo të vërtetë me origjinalin.

“Sigurisht që këtu ka elementë të rinj, ndriçuesit modernë, shtrimi i rrugës me pllaka. Megjithatë është parë një farë lidhje, duke qenë se lidhet me urën e tabakëve dhe kjo është me kalldrëm, edhe trotuarët e rrugës janë bërë me kalldrëm”, thotë Prifti.

Me një imazh të ri shumë shpejt kjo rrugë do të jetë plotësisht funksionale, por vetëm për këmbësorët. Është kjo një ndër karakteristikat e këtij projekti ku përveç ruajtjes së trashëgimisë kulturore, i kushtohet rëndësi edhe mjedisit.

“Sigurisht që kjo rrugë mbetet një arterie e rëndësishme, qytetarët janë të kënaqur me vizitueshmërinë, do të ketë një impakt pozitiv në numrin e vizitorëve sidomos të monumenteve antike”, thekson Prifti.

Nga kryeqyteti shkojmë në një tjetër rrugë mesjetare që na shfaqet në formën e saj moderne. Bëhet fjalë për rrugën pedonale në qytetin e biçikletave, në Shkodër. E restauruar në vitin 2008 kjo rrugë është njëri nga gurët e mozaikut historik në qytetin e Shkodrës.

“Kjo është e ashtëquajtura ‘Piazza e Shkodrës’. Kjo rrugë është pjesë e ansamblit historik të qytetit të Shkodrës. Ky anasambël ariktetoniko-urbanistik, paraqet në vetvete vlera të spikatura”, shton ajo.

Në këtë zonë e cila në çdo moment të ditës është e mbushur me njerëz bien në sy ndërtesat në të dy anët e rrugës. Trashëgimi kryesisht të shekullit 18-19, këto banesa zbukurojnë këtë rrugë tashmë moderne.

“Rruga këtu është kryesisht me ndërtesa dykatëshe. Tek këto ndërtim është karakteristikë pamja e tyre e jashtme ku bie në sy përdorimi i elementëve si druri, hekuri, guri që i japin një vlerë të rëndësishme”, deklaron Shpresa.

Ashtu si në pedonalen e Tiranës edhe këtu, objekti nuk është një pasqyrë e origjinalit. Edhe pse janë shtuar element të rinj retaturatorja tregon se vlerat që paraqet kjo rrugë janë shumë të mëdha.

“Rruga në fillimet e saj nuk mund të themi se ka qenë kështu në restaurimin që iu bë qoftë rrugës, qoftë fasadave janë shtuar elementë të rinj, elementët e kalldrëmit jane ruajtur, shtresa me pllakja është menduar nga projektuesi, në ndryshim nga rruga në Tiranë ku ndriçuesit janë modern këtu në fakt janë të përshtatur me origjinalin”, shprehet ajo.

Edhe pse ka vetëm tre vite që paraqitet në këtë formë, impakti i kësaj rruge ka qenë shumë i madh. Përveç se një vend për të pirë kafe, sepse lokalet janë të shumtë në këtë rrugë, aty ka mundësi për të zhvillluar edhe aktivitete të ndryshme.

“Mund të them se kjo rrugë e ka gjallëruar qytetin e Shkodrës, impakti i saj ka qenë shumë i rëndësishëm, janë zhvilluar panaire, festa si dhe është një propagandim mjaft i mirë për gjithë zonën historike”, tregon Shpresa.

Këto rrugë mesjetare të ditëve të sotme janë një përpjekeje për të përmirësuar imazhin e qyteteve tona. Megjithatë nuk mund flitet për një model të qartë për arsye se vendet nga janë marrë këto forma restaurimi janë të ndryshme.

Top Channel