PS, padi e re në Kolegj

05/07/2011 15:00

Kur të gjithë mendonin se seanca ankimore e 6 korrikut në Kolegjin Zgjedhor do të mbyllte serinë e ankimimeve të PS-së për rezultatin e Bashkisë së Tiranës, juristët e kësaj partie kanë lëshuar një as që e kishin nën mëngë. (UPDATE)

Partia Socialiste duket se nuk ka shterruar në përpjekjet e saj ligjore, pasi mesditën e 2 korrikut ka depozituar një tjetër ankimim në Kolegjin Zgjedhor që duket se për arsye taktike nuk është bërë publik.

Top Channel nga burime pranë Gjykatës së Apelit në Tiranë siguroi një kopje të kësaj kërkes-padie ku si palë e paditur është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Si objekt ankimimi është anulimi i vendimit Nr. 1160 datë 28-06-2011 i KQZ-së “Për mospranimin e për shqyrtimin e kërkesës ankimore Nr.164 të subjektit Partia Socialiste e Shqipërisë” detyriminin e KQZ-së të marrë në shqyrtim kërkesën dhe të marrë vendimin bazuar në 4 nene të Kodit Zgjedhor.

Në kërkesën ankimore e cila mban firmën e sekretarit për çështje juridike në PS, Fatmir Xhafaj thuhet se “Arsyetimi i KQZ-së dhe vendimet Nr. 1094 të datës 16-06-2011 e Nr. 1158 datë 23-06-2011 janë treguesi evident i pabazueshmërisë në ligj të vendimit të marrë për mospranimin për shqyrtim të kërkesës ankimore Nr. 164 paraqitur nga PS:

“Vendimi Nr. 1158 datë 25.06.2011 në pikën 3 ka miratuar tabelën përmbledhëse të rezultatit për kryetar të Bashkisë Tiranë dhe ka shpallur fitues z. Lulzim Basha. Ky është vendimi për shpalljen fitues dhe nga ky moment lind e drejta subjektit zgjedhor të kërkojë pavlefshmërinë e zgjedhjeve. Këtë ka bërë PS me kërkesën drejtuar KQZ-së”.

Juristet e PS-së argumentojnë se kërkesa ankimore Nr. 164 është në afat dhe është paraqitur përpara organit kompetent KQZ pasi kemi të bëjmë me afate të reja për t’u ankimuar. Ja cili është argumenti:

“Në bazë të parashikimeve të nenit 123 e 160 të Kodit Zgjedhor e urdhërit të bërë me vendim të  kolegjit që ka anuluar një vendim të mëparshëm të KQZ-së për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit kemi të bëjmë me një vendim të ri, fillestar për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit për Bashkinë Tiranë pasi nuk ekzistojnë vendime të mëparshme të këtij lloji nisur nga vendimi i gjykatës. Duke qenë një vendim i ri në mungesë të vendimeve të mëparshme në bazë të dispozitave të sipërcituara kemi afate të reja për paraqitje të kërkesës ankimore. Afate që nisin nga data e vendimit që ka miratuar tabelën përmbledhëse të rezultatit së fundimi, çka na çon pikërisht tek vendimi Nr. 1158 datë 25-06-2011 i KQZ dhe nisja e llogaritjes së afateve nga ajo datë sipas përcaktimeve të nenit 124 dhe 126 të Kodit Zgjedhor”.

Arsyetimi KQZ-së, sipas socialistëve, është tërësisht i pabazuar në ligj dhe akoma më shumë përmban shprehje dhe qendrime që nuk kanë të bëjnë me fazën e shqyrtimit parashikuar nga neni 130 i Kodit Zgjedhor.

PS thotë se KQZ është kompetente për shqyrtimin e kësaj kërkesë nisur nga kërkimi i paraqitur duke u plotësuar kushtet e kërkuar nga nenet 124, 130 dhe 160 të Kodit Zgjedhor.

Përsa më sipër, PS në ankimim i kërkon Kolegjit anulimin e vendimit të KQZ-së Nr. 1160 dhe detyrimin e KQZ-së të shqyrtojë kërkesën ankimore të PS-së.

Burime nga Gjykata e Apelit pohojnë se në shortin e hedhur për këtë kërkesë ankimore relatore do të jetë gjykatësja Sashenka Jonuzi dhe anëtare gjyqtarët Astrit Kalaja, Dhurata Haveri, Meriban Mullai dhe Marie Qirjazi.

E përbashkëta e dy ankimeve të PS-së në Kolegjin Zgjedhor është kërkesa për pavlefshmëri të zgjedhjeve për Tiranën.

Komisioni Venecias ka kryer një studim me titull “Raport bazuar në shifra për menazhimin e një mashtrimi elektoral” që mban datën 16 dhjetor 2010 për llogari të “Komisionit për demokraci përmes ligjit” ku aderon edhe Shqipëria.

Autorë të raportit janë dy ekspertë. Bullagari Nikolai Vulchanov dhe suedezi Anders Eriksson.

Por çfarë parashikon ky studim për raste të ngjashme si ai ku ndodhet Shqipëria ku nga tabela përfundimtare e KQZ-së mospërputhja është 754 vota?

Përgjigjja ndodhet në pikën 140 dhe 141 ku trajtohet çështja e rinumërimit dhe përsëritja e votimit.

“Kur kemi gabime njerëzore gjatë numërimit të votave, garuesit mund të kërkojnë rinumërim të votave ose të kërkojnë përsëritje të zgjedhjeve. Kjo ndodh në ato raste kur garuesit vërejnë manipulim të hapur  apo ndodhen në një situatë kur s’është e mundur determinimi i rezultatit përfundimtar. Kërkesa për rinumërim apo përsëritje të zgjedhjeve duhet të referohet për çdo qendër votimi veç e veç apo për të gjitha zonat elektorale. Kjo ndodh kur rezultati është shumë i ngushtë dhe besohet se rinumërimi apo ripërsëritja e votimit ka impakt në rezultat”.

Top Channel