Pas vitit 2009, kur ekonomia mori goditjen e fortë nga kriza botërore,
mundi ta evitojë recesionin falë edhe rritjes së fortë të eksporteve.
Në vitin 2010 eksportet arritën mbi 1 miliardë e 610 milionë dollarë, me një rritje rekord prej 56.5 për qind krahasuar me një vit më parë. Tendenca pozitive vazhdoi edhe në muajt e parë të këtij viti, ndonëse me ritme dy herë më të ulëta. Madje, muajin e kaluar sipas të dhënave më të fundit zyrtare të INSTAT, tendenca u përmbys dhe eksportet jo vetëm që nuk u rritën, por për herë të parë në dy vjet ranë me 8.3 për qind krahasuar me majin e vitit 2010.
E përkthyer në vlerë, shitjet e kompanive shqiptare jashtë ishin në maj 15 milionë dollarë më pak se sa i njëjti muaj i vitit të kaluar. Të dhënat tregojnë se rënia e eksporteve ka ardhur vetëm nga një zë, që është ai i mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike.
Vitin e kaluar, ky ishte zëri më rritjen më të fortë, ku vetëm korporata elektroenergjetike shiti jashtë mbi 170 milionë dollarë energji. Por këtë vit rezervat hidrike nuk janë më të tejmbushura dhe KESH ka bërë të ditur se nuk do të eksportojë, pasi do të ruajë rezervën vendase.
Kjo do të thotë gjysmën e mbetur të vitit eksportet do ta kenë edhe më të vështirë të mbajnë nivelet e vitit të kaluar, dhe nëse kjo tendencë do të konfirmohet, shpresat që ekonomia të ruajë edhe këto ritme minimale të rritjes së prodhimit do të varen tek investimet dhe konsumi i brendshëm, për të cilat Banka e Shqipërisë tha dje se kanë rënë.
Top Channel