PS: 284 QV të pavelfshme

27/06/2011 19:40

Vendimi me numër 1158 i datës 25 qershor 2011 i KQZ, që shpallte kandidatin demokrat Lulzim Basha me 93 vota më shumë se kandidati Edi Rama, është ankimuar nga Partia Socialiste. (UPDATE)

Kërkesa ankimore prej 9 faqesh e hartuar nga juristën e PS është depozituar pasditen e së hënës në KQZ. Dy janë objekt akmimimet: kundërshtimi i vendimit 1158 dhe shpallja e pavlefshme e zgjedhjeve në 284 qëndra votimi.

Në kërkesën ankimore Partia Socialiste ka renditur të gjitha pretendimet për shkelje që sipas saj cuan në deformimin e rezultatit të shpallur nga KQZ pas zbatimit të urdhërit nga Kolegji Zgjedhor për hapjen kutive.

Në mënyrë specifike, në kërkesën ankimore thuhet: “Gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë Tiranë, kanë ndodhur dhe janë lejuar shkelje flagrante të ligjit, të cilat kanë cënuar procesin zgjedhor në atë masë sa ka ndikuar në mënyrë evidente në përcaktimin e kandidatit fitues për organet e qeverisjes vendore në këtë Bashki. Detyrimin që KQZ kishte nga Kolegji Zgjedhor për të përputhur tabelat e rezultateve duke përputhur numrin e zgjedhësve me fletët e votimit, në mënyrë që të realizonte parimin kushtetues dhe ligjor “një zgjedhës një votë”, nuk është realizuar”.

Gjithashtu, domosdoshmëria e përputhshmërisë ndërmjet numërit të fletëve të votimit të gjetura në kuti dhe numrit të votuesve në kërkesën ankimore cilësohen si të mosrealizuara nga KQZ.

Kjo diferencë ndërmjet fletëve të gjetura në kuti dhe numrit të zgjedhësve për bashkinë Tiranë është 870 fletë votimi më shumë se zgjedhës.

Ndërkohë që shuma e fletëve të votimit të vlefshme me ato të pavlefshme krahasuar me numrin e zgjedhësve është 244 fletë votimi të numëruara e të përfshira në rezultat më shumë se numri i zgjedhësve.

Mosakordimi i kodit të pestë të sigurisë së kutisë së votimit, kuti votimi të dëmtuara para ardhjes në KQZ të paevidentuara në librat e protokollit, mungesa e zarfeve me fletëvotimi të pavlefshme në disa kuti votimi, fletë votimi që nuk i përkisnin fare asaj qendre votimi, hetimi dhe numërimi i fletëvotimit, të cilat u gjetën jashtë zarfeve votave të pavlefshme, janë pjesë e kërkesës ankimore.

Të gjitha këto parregullsi e kanë cuar Partinë Socialiste në përfundimin se, në rreth 35 % të kutive u konstatuan dhe dokumentuan probleme serioze të integritetit dhe sigurisë së tyre, gjë që vendos në pikëpyetje të drejtëpërdrejtë integritetin e materialit zgjedhor.

Dhe se në ekzistencë të këtyre shkeljeve dhe fakteve rezulton se janë 284 QV në të cilat duhet të deklarohet pavlefshmëria e zgjedhjeve për shkak të pasojës së pariparueshme që këto shkelje ligji krijojnë në ndarjen e mandateve.

Top Channel