Botërori i femrave, kosovarja fenomen në Gjermani

27/06/2011 19:05

Quhet Fatmira Bajramaj, 23 vjeçe, është me origjinë kosovare dhe është ylli më i bukur i futbollit femëror gjerman, e aftë të bëjë të ëndërrojë miliona tifoza, përfshirë edhe kancelaren Angela Merkel.

Sot tabloidi “Bild” e paraqet në një foto në gëzim e sipër pas momentit të golit të parë të shënuar nga gjermania Kerstin Garefrekes në takimin e fituar 2-1 me Kanadanë.

Në shkrimin e tij, tabloidi në versionin online i dedikon një hapësirë të madhe Bajramaj dhe në një seri prej 26 imazhesh tregon jetën e futbollistes që ka lindur në Kosovë në 1988 dhe ka emigruar në Gjermani me familjen kur ishte fëmijë.

“Për shkak të rrezikut të përditshëm në Kosovë, familja ime është transferuar në Gjermani kur isha 4 vjeçe”, tregon Lira, siç e thërrasin shkurt.

Karriera e saj si futbolliste është në rritje konstante, edhe pse ka pasur gjithnjë kundërshtimin e të atit.

Fillimisht ka filluar të luajë me DJK/VfL Giesenkirchen dhe më pas ka kaluar në FSC Moenchengladbach në 1997 për të luajtur më pas në Bundesligë në shtator 2004 me FCR 2001 Duisburg.

Sezoni 2009-2010 e ka kaluar në FFC Turbine Potsdam dhe së fundmi ka lajmëruar kalimin në FFC Frankfurt. Një ndalesë, kjo e fundit, që ka shënuar transferimin më të kushtueshëm në historinë e Bundesligës femërore.

Kështu, në moshën 19 vjeçare, Lira ishte në rezervat e kombëtares femërore gjermane kur skuadra ka fituar kampionatin botëror në 2007.

Në 43 ndeshje ndërkombëtare, Bajramaj ka realizuar deri tani 8 gola, ndërsa në 39 ndeshje të luajtura me Potsdam ka shënuar 29 herë. Një performancë kjo që e çoi në vendin e tretë për Topin e Artë FIFA 2010.

Lira është edhe simboli i integrimit të grave të huaja në shoqërinë gjermane, një objektiv për të cilin Merkel punon prej vitesh. Ajo aktualisht fiton 11 mijë euro në muaj falë 6 sponsorëve, por duke parë suksesin e futbollit femëror në Gjermani, nuk do jetë e vështirë që kosovarja të paguhet njësoj si kolegët e saj meshkuj.

FOTO GALERI
2/6
Bajramaj, ylli i kombëtares gjermane

Top Channel