Kasadei: Shqipëria në rrugë të mbarë për Europianin 2014

24/06/2011 11:10

Kandidatura e Shqipërisë për të organizuar Kampionatin Europian të
Peshëngritjes për të rritur në vitin 2014 ka sjellë në vendin tonë për
një vizitë dyditore presidentin e Federatës Europiane (EWF), Antonio
Urso dhe sekretarin e përgjithshëm të këtij institucioni, Marino
Erkoliano Kasadei.

Dy drejtuesit e lartë të EWF-së u pritën nga zv.ministri i Sporteve, Dashnor Bajaziti, i cili shprehu mbështetjen e qeverisë për organizimin e këtij evenimenti.

Ata inspektuan edhe kushtet e pallatit të sportit, “Asllan Rusi” dhe disa hotele në Tiranë, ku mendohet të akomodohen delegacionet. Përkrah presidentit të FSHP-së, Esat Ademi, dy zyrtarët e shtangës kontinentale folën për kandidaturën e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes dhe shpjeguan disa detaje të rëndësishme të një aktiviteti kaq të rëndësishëm, në të cilin pritet që të marrin pjesë minimalisht 40 shtete, ndërsa numri i personave që përbëjnë delegacionet kap shifrën 400, ku 250 prej të cilëve do të jenë sportistë.

“Shqipëria ka një histori pozitive pas organizimit të Europianit për të Rinj në vitin 2008 në Durrës dhe ka shanse të mira për të qenë organizatore”, nënvijëzoi sekretari i përgjithshëm i Federatës Europiane të Peshëngritjes, Marino Erkoliano Kasadei, në konferencën për shtyp. Ai shtoi: “Kemi zhvilluar një takim me zv.ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, i cili ka dhënë mbështetjen e tij të plotë. Në shtator, në Budapest, Bordi Ekzekutiv do të vendosë për vendin organizator të Kampionatit Europian, ku Shqipëria është njëra prej kandidaturave”.

Nga ana e tij, kreu i peshëngritjes shqiptare, Ademi, theksoi se rivali kryesor në këtë garë është Polonia. “Morëm këtë iniciativë, pas suksesit në Europianin për të Rinj tre vjet më parë. Nëse në të kaluarën sportistët e kishin ëndërr të merrnin pjesë në një kampionat europian, sot kemi luksin dhe fatin e mirë për të mirëpritur një eveniment madhor, tha ai. Natyrisht, organizimi i Europianit të të Rriturve do të jetë një sfidë dhe përgjegjësi e madhe. Sa shanse kemi? Kam zhvilluar mjaft takime të frytshme me anëtarët e Bordit Ekzekutiv të Federatës Europiane, prej të cilëve kam marrë mbështetjen maksimale”.

Top Channel