Arrestime për trukime ndeshjesh

24/06/2011 20:55

Policia greke ka vazhduar operacionin për arrestimin e anëtarëve të një organizate që trukonte ndeshjet e futbollit të kampionatit grek.

Sipas policisë, në pranga janë vënë më tepër se 40 vetë, ndërsa lista e personave në kërkim i ka kaluar 84 persona.

Polica sqaroi se ka nxjerrë urdhër-arresti për Makis Psomiadhis, një ndër personazhet më të njohura në sportin grek.

Ai ka qenë presidenti i AEK dhe sapo kishte blerë shumicën e aksioneve të ekipit Iraklis.

Ndërsa një emër tjetër i njohur, ai i Vangjelis Marinaqis, presidenti i ekipit të Olimpiakos i Pireut, kampionëve të Greqisë, i është shtuar listës të të implikuarve në një ndër skandalet më të mëdha që kanë tronditur futbollin grek.

Nga përgjimet e realizuara falë një aparature të posaçme të shërbimeve sekrete helene, rezulton se Marinaqis është pjesëtar i organizatës kriminale që trukonte ndeshjet.

Ai akuzohet edhe për pastrim parash.

Në listën e të arrestuarve, apo të shpallurve në kërkim figurojnë disa arbitra, futbollistë, aksionerë të ekipeve, mjekë të ekipeve dhe një funksionar i Federatës Greke të Futbollit, ndërsa pritet t’i shtohen edhe persona të tjerë, të cilët kryesisht kryenin pastrimin e parave dhe transportimin e tyre në vende të ndryshme të botës.

Burime konfidenciale pranë drejtorisë së policisë së Athinës, i thane Top Channel, se ne personat e implikuar në këtë organizatë ndodhen edhe disa shtetas shqiptarë, njëri prej të cilëve konsiderohet si tepër i rrezikshëm.

Ai është nga Peshkopia dhe prej disa ditësh është vënë në kërkim të forcave greke të rendit.

Top Channel ka mësuar se policia greke u ka dhënë informacione të detajaura homologëve të saj shqiptare lidhur me rrugën e pastrimit të parave të pista prej këtij aktiviteti në Shqipëri, por edhe me sasitë e parave që janë luajtur nga Shqipëria në ndeshjet të cilat konsiderohen si të trukuara.

Top Channel