Shpëton Zuckerberg, Vinklevoss heqin dorë nga apeli

23/06/2011 20:05

Dy ish shokët e universitetit të themeluesit të Facebook, Mark Zuckerberg, kanë hequr dorë dje nga kërkesa bërë drejtësisë për anulimin e një marrëveshjeje që u kishte sjellë atyre më shumë se 65 milionë dollarë për rolin e tyre në krijimin e rrjetit social.

Sipas një dokumenti të prezantuar në një gjykatë federale të San Francisco, binjakët Tyler e Cameron Winklevoss, kampionë kanotazhi, që ishin si Zuckerberg, studentë në Harvard në kohën e krijimit të Facebook, në 2004, së bashku me mikun e tyre Divy Narendra kanë deklaruar se nuk duan më të kundërshtojnë marrëveshjen në Gjykatën e Lartë të SHBA-ve.

“Mund të konfirmoj se Tyler e Cameron Vinklevoss kanë vendosur të mos apelojnë mbi marrëveshjen në Gjykatën e Lartë, ka konfirmuar studioja ligjore Howard Rice, që përfaqëson binjakët.

Siç tregon filmi “The Social Network”, binjakët Winklevoss e Narendra kishin kontaktuar me Zuckerberg në fund të 2003-shit që t’i ndihmonte të ngrinin një rrjet kontaktesh në internet.

Të tre pohojnë se Zuckerberg ka vjedhur idenë e tyre dhe me vetëdije ka vonuar projektin e tyre, ndërsa punonte për faqen e vetë, që rezultoi të bëhej rrjeti më i madh social në botë.

Top Channel