Kuzhe, “hakmarrja” kuq e zi

22/06/2011 15:40

Ka mbërritur në Tiranë përfaqësuesja kuqezi që udhëtoi drejt Argjentinës për atë miqësore luksi që befas u kthye në makth, ndërkohë që nuk mund të pritej asgjë më shumë se një humbje, përball një nga pesë skuadrat më të mëdha të botës.

Me të mbërritur në Aeroportin e Tiranës “Nënë Tereza”, trajneri Kuzhe ka ndaluar përpara mediave duke dhënë përshtypjet e tij rreth kësaj eksperience të rrallë për ne.

“Sigurisht një ndeshje e vështirë, por ne e respektojmë kundërshtarin. Në 15 minutatat e para u munduam të rezistojmë. Do më pëlqente të kisha ekipin e parë, por edhe të rinjtë u përshtatën shumë shpejt. Unë kam memorie të mirë për të gjitha momentet, do të respektoj lojtarët që kanë ardhur dhe do kem parasysh ata që nuk u paraqitën”, është shprehur Kuzhe.

Në të vërtetë ishin të shumtë lojtarët e formacionit të parë të përfaqësueses sonë që menjëherë pas ndeshjes me Bosnje Hercegovinën, u shpërndanë në klubet e tyre, ata që kanë dhe të tjerët me pushime.

Të luash me përfaqësuesen është nder për çdo futbollist e jo detyrim, por ta refuzosh në këtë mënyrë është e papranueshme, megjithatë do të shohim sa memorje të fortë do të ketë trajneri Kuzhe në grumbullimin e ardhshëm ndaj Francës, ndeshje eliminatore për Europianin e 2012-s.

Top Channel