Greqi, skandal i basteve

22/06/2011 22:50

Policia greke ka arrestuar disa presidente të klubeve të futbollit grek dhe të paktën 40 personave të tjerë nën akuzën e trukimit të ndeshjeve.

Janë vënë nën pranga presidenti i ekipit të Olimpiakos Volos, Arqileas Beos ai i Kavalas, Stavros Psomiadhis, si dhe tre presidentë të ekipeve të kategorisë së parë dhe të dytë emrat e të cilëve nuk janë publikuar ende.

Sipas burimeve policore, hetimet për trukimin e ndeshjeve kanë nisur para një viti dhe janë finalizuar me arrestimet e mbrëmjes të së mërkurës.

Agjentë të krimit ekonomik dhe policisë kriminale kanë sekuestruar kompjutera, dokumenta dhe të dhëna të tjera tepër të rëndësishme, të cilat, sipas tyre vërtetojnë aktivitetin mafioz të organizatës.

Në mikroskopin e agjentëve janë edhe rrethi i ngushtë i të arrestuarve dhe llogaritë e tyre bankare. Mësohet se janë më tepër se 40 ndeshje të kampionatit grek ku janë trukuar rezultatet.

UEFA kishte shprehur dyshime lidhur me rezultatet e këtyre sfidave, madje organizmi më i lartë i futbollit europian kishte kërkuar monitorim të rreptë të ndeshjeve të kampionatit helen.

Sipas policisë, në ndeshjet e trukuara janë luajtur shuma të mëdha parash, ndërkohë që në llogaritë e presidentëve të arrestuar janë gjetur shifra të cilat i kalojnë 60 milionë euro.

Top Channel