Epitafi i një gladiatori: Si më vrau dredhia

22/06/2011 02:50

Studiuesit dhe historianët arritën të zbërthejnë një mesazh në epitafin 1800 vjecar të një varri ku ishte varrosur një gladiator.

Piktura e vendosur si epitaf mbi varrin e gladiatorit të quajtur Diodorus tregon se si ai kishte humbur betejën (dhe jetën e tij) në arenë përballë kundërshtarit të tij.

Guri i varrit u gjet në Turqi 100 vjet më parë dhe jep më shumë detaje për “lojërat e vdekjes” në kulmin e fuqisë së Perandorisë Romake, që shtrihej në ato kohëra nga Muri i Adrianit në Britani deri në lumin Eufrat në Siri.

Përvec pasqyrimit në art, në epitaf ka edhe një mbishkrim.

“Pasi munda në betejë kundërshtarin tim, Demetrius, unë nuk e vrava atë. Dredhia e gjyqtarit (në epitaf quhet summa rudis) më mori jetën”, shkruhet aty.

Kjo për profesorin kanadez, Michael Carter tregon se betejat e galdiatorëve në arenë ishin shumë herë më komplekse nga c’tregojnë filmat hollivudianë. Sipas tij, beteja ka patur mjaft rregulla.

Cdo dyluftim kishte një arbitër (summa rudis), gladiatori humbës kishte të drejtë të kërkonte mëshirë dhe nëse kjo i jepej nga publiku ai mund të largohej nga arena i gjallë.

Rregulli i ri i zbardhur nga ky epitaf sqaron rastin kur një gladiator bie aksidentalisht, pa ndihmën e kundërshtarit të tij. Gjatë betejës me rivalin e tij, Diodorus arrin ta mposhtë atë, por ky kërkon falje. Diodorus tërhiqet duke menduar se e kishte fituar betejën, por jo, arbitri (summa ridis) vendos që dyluftimit të vazhdojë pasi sipas tij, kundërshtari i Diodorus u rrëzua aksidentalisht.

Rinisja e dyluftimit ishte fatale për Diodorus, ai plagoset rëndë nga rivali i tij e vdes pak ditë më vonë.

Ky dyluftim sipas profesor Carter ka ndodhur në Amisus, qytet në brigjet jugore të Detit të Zi në Turqinë e sotme.

FOTO GALERI
1/1
Epitafi i një gladiatori: Më vrau dredhia e arbitrit

Top Channel