Liga e Kampioneve, Skënderbeu përballë APOEL

20/06/2011 12:15

Eshtë hedhur në Nion të Zvicrës shorti i shorti i raundeve të para eliminatore për Champions League-n e sezonit të ardhshëm.

Skuadra jonë kampione Skëndërbeu, ka kaluar menjëherë në raundin e dytë falë koeficientit të kampionatit tonë, ku do të perballet me APOEL-in e Qipros. Kjo është hera e parë për skuadrën korcare që do të luaj një ndeshje ndërkombëtare, në historinë e këtij klubi, megjithatë përballe skuadrës kampione të Qipros do të jetë një ndeshje e fortë për Skënderbeun, pavarësisht emrit jo të madh të kësaj skuadre në arenën europiane.

Ndeshja e parë do të zhvillohet në Korcë në datat 12/13 korrik, ndërkohë që ndeshja e kthimit në datat 19/20 korrik. Në veprimtarinë tjetër, atë të kupës Europa League, marrin pjesë tre skuadra shqiptare, Flamurtari i vendit të dytë, Vllaznia dhe Tirana si fituesja e kupës. Vlonjatët do të përballen në këtë raund të parë të kësaj kupe me skuadrën malazeze të Buducnostit te Potgoricës, ndeshje e parë Flamurtari do ta luaje në Mal të Zi më 30 qershor, në të njëjtën datë në Maltë, do të përballet edhe Vllaznia, e treta e renditur në kampionatin tonë të këtij sezoni, me skuadrën Birkirkara. Ndërkohë ndeshjet e kthimit të dyja këto skuadra do t’i luajnë më 7 korrik.

Ndërsa Tirana, fituesja e Kupës së Shqipërisë do të përballet më 14 korrik në raundin e dytë të kësaj veprimtarie me fituesen e ciftit të raundit të parë Spartak Ternava e Serbisë me Zetën e Malit të Zi. Ndërkohë ndeshja e kthimit për Tiranën do të zhvillohet më 21 korrik. 

Top Channel