BE: Situata në Tiranë, shqetësuese

20/06/2011 15:00

Këshilli i Bashkimit Europian konkludoi në Luksemburg se situata politike në Shqipëri është përkeqësuar pas zgjedhjeve lokale dhe se Tirana përbën një cështje shqetësuese.

“BE ndoqi nga afër zgjedhjet lokale 2011 dhe shënon se, përgjithësisht ato u mbajtën në mënyrë transparente e konkurruese, megjithë vështirësitë proceduriale. Sidoqoftë, situata në Tiranë është një cështje shqetësuese. BE shpreh keqardhje për keqësimin e situatës politike dhe rritjes së tensioneve që pasuan zgjedhjet dhe zhvillimin e procesit”, thuhet në deklaratë.

Ashtu si në qëndrimet e deritanishme të zyrtarëve të Komisionit, Këshilli i ministrave të Jashtëm bën thirrje për finalizim të qetë e të pavarur të procesit zgjedhor, duke u kërkuar partive politike që të njohin e respektojnë sundimin e ligjit.

“BE, ndërsa shënon vendimet e Kolegjit Zgjedhor, nënvizon se është thelbësore që procesi elektoral të mbyllet në transparencë, në pavarësi e në përputhje të plotë me kuadrin ligjor, duke përfshirë këtu edhe procedurën e ankesave dhe shpalljen e rezultateve përfundimtare nga KQZ. Është po ashtu thelbesore që të gjitha partitë të njohin epërsinë e sundimit të ligjit mbi cdo lloj interesi tjetër. BE bën thirrje ndaj të gjithë udhëheqësve politikë që të mbështesin finalizimin e qetë të procesit zgjedhor, me konstruktivitet dhe me një fokus në të ardhmen europiane të vendit. BE do të ndjekë nga afër vlerësimin e procesit nga misioni vëzhgues zgjedhor OSBE/ODIHR”, nënvizohet në deklaratën përmbyllëse.

Megjithë ndryshimet e bëra deri më sot në ligjin elektoral, BE vlerëson se Shqipërisë i duhet një reformë e plotë zgjedhore, ku duhen përfshirë të gjitha rekomandimet e bëra nga OSBE/ODIHR në katër vitet e fundit.

“BE i kërkon qeverisë dhe opozitës që, në bashkëpunim me shoqërinë civile të bien dakord për një reformë të plotë zgjedhore, duke trajtuar të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR në 2007, 2009 dhe 2011 përpara se të deklarohen zgjedhjet e ardhshme. BE vë në dukje synimin e sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Evropës për të pyetur Komisionin e Venecias për një mendim sesi të shmangen situata të ngjashme në zgjedhjet e ardhshme”, vlerëson BE.

Në përfundimet e tyre mbi Shqipërinë, ministrat e Jashtëm të BE-së shprehen qartë se vendi do të mund të avancojë drejt Unionit vetëm pas përmbushjes së të gjitha kushteve të kërkuara, mes të cilave dhe bën pjesë dhe vendosja e një dialogu politik.

“BE i bën thirrje qeverisë dhe opozitës për të vendosur urgjentisht dialogun dhe për të kapërcyer ngërcin e gjatë politik. Një dialog i tillë është i domosdoshëm për funksionimin normal të një shoqërie demokratike  dhe institucionet e saj, duke përfshirë dhe funksionimin e Parlamentit, si dhe avancimin e integrimit europian të vendit. BE i kërkon autoriteteve shqiptare që të ripërtërijnë dhe të forcojnë përpjekjet e tyre mbi axhendën e reformave dhe zbatimin e tyre. Këto janë thelbësore për të arritur shkallën e nevojshme të pajtueshmërisë me kriteret e Kopenghagenit, duke përfshirë këtu dhe 12 prioritetet kyce që identifikoi Komisioni Europian më 9 nëntor 2010 në Opinionin mbi kandidaturën e Shqipërisë. Vetëm pas përmbushjes së këtyre të mësipërme, Shqipëria do të jetë në gjendje për të ecur përpara drejt BE-së, në përputhje me konkluzionet e Këshillit të Dhjetorit 2010”.

Në Dhjetor 2010, Këshilli i BE-së u angazhua për pranimin e kandidaturës së Shqipërisë, sapo vendi të përmbushte 12 prioritetet kyce që përcaktoi Komisioni Europian në opinionin përkatës.

Deri më sot, gjykohet se Shqipëria nuk ka përparuar në asnjë prej tyre, e madje, burime konfidenciale nga ky takim rrëfyen për TCH se vendit pritet t’i jepen kushte shtesë në raportin e progresit të tetorit.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel