Londër, në ankand pistoleta e Al Capone

16/06/2011 09:45

Kompania e ankandeve Christies, në Londër, do të nxjerrë së shpejti në ankand pistoletën personale të gangsterit më famëkeq të SHBA, Al Capone.

Capone qeverisi botën e krimit në Cikago në vitet 1920 dhe ngriti një pasuri kolosale me anë të zhvatjeve, shantazheve dhe kontrabandës.

Pistoleta e përdorur nga vetë bosi i krimit është e llojit “Colt 38” dhe del në ankand nga një koleksionist privat, që e kishte marrë nga vëllai i Capone.

Ajo llogaritet të shitet me një cmim nga 81 mijë në 140 mijë dollarë, bën të ditur rrjeti informativ britanik BBC.

Al Capone, një napoletan i emigruar në Shtetet e Bashkuara, ka qenë përgjegjës për një numër të madh vrasjesh, në vecanti për atë që u quajt “masakra e Shën Valentinit”.

Ai u dënua me 11 vjet burg për evazion fiskal, por pasi kreu vetëm 7 vjet në burgun famëkeq të Alkatrazit u lirua dhe u kthye në Florida, ku dhe vdiq më 31 janar të vitit 1947.

Top Channel