Nostalgji për kinemanë e dikurshme

15/06/2011 19:10

Në 17 gusht 1958 “Kinostudioja Shqipëria e Re” dha premierën e filmit artistik shqiptar “Tana”. Ky film ishte guri i parë në rrugën e kinematografisë shqiptare.

Shumë shpejt ambientet e Kinostudios u shndërruan në një ndërmarrje të mirëfilltë të prodhimit të filmave. Por sa e vështirë ishte të realizoje një film në atë kohë përsa i takon aspektit teknik? Operatori i njohur Faruk Basha tregon për jetën kinematografike të atyre viteve.

“Problemet teknike kanë qenë mjaft të vështira, duhet të kesh njerëz që të shpjegojnë. Është e gabuar ideja se kamera është të shtypësh një buton dhe të bësh filmin”, është shprehur Basha.

Prodhimet e para kinematografike “Made in Albania” ashtu si në të gjithë botën xhiroheshin me celuloid. Megjithëse ky lloj materiali edhe në ditët e sotme vazhdon të jetë i përdorshëm, për shkak të cilësisë shumë të mirë, në atë kohë paraqiste mjaft vështirësi për kineastët e rinj shqiptarë.

“Filmin e merrnim në Gjermaninë lindore, ne nuk paguanim për filmin sepse ishte me bazë kleringu ne jepnim domate, speca dhe merrnim produkte industriale si filmi”, theksoi Basha.

Duket se teknika e xhirimit të filmave në vendin tonë ishte shumë e lidhur me Gjermaninë. Elementi më i rëndësishëm për realizimin e një filmi, kamera, ishte një nga prodhimet gjermane më të mira të kohës. Kineasti i njohur Saimir Kumbaro tregon për këtë objekt kulti të kinematografisë në ato vite.

“Kjo është një arifleks gjerman, është një kamera shumë e fortë, me të janë realizuar rreth 150 filma, por kishte një problem se nuk kishte sistem për eleminimin e zhurmave”, u shpreh Kumbaro.

Faruk Basha, operatori i shumë filmave, si “Plagët e vjetra”, “Mëngjese lufte”, “Duel i heshtur” etj, tregon se xhirimi është një nga pjesët më të vështira që përballesh gjatë realizimit të një filmi. Kjo gjë rëndohej edhe më në kohën e diktaurës, kur kushtet për realizimin e filmave nuk ishin të përshtatshme.

“Fatkeqësisht të shtrënguar nga ana financiare ne nuk mund të përdornim shumë filmin, maksimumi katër dubla”, tha Basha.

Në këtë botë kinematografike shqiptare një rol të madh luajtën personat e arsimuar jashtë vendit kryesisht në akademitë e filmit në lindje. Shkollat e filmit në Çeki dhe në Rusi i dhanë Shqipërisë një brez të artë kineastësh.

“Ç’është e vërteta kinemaja ruse dhe të lindjes në përgjithësi patën një ndikim në realizimin e filmave shumë nga regjizorët si Dhimitër Anagnosti, Pirro Milkani ishin përgatitur në këto akademi”, tha Basha.

Elementi shumë i rëndësishëm në jetën e njeriu, drita, duket se ishte problem thelbësor në filmat bardh e zi të kinostudios “Shqipëria e Re”. Basha tregon se për shkak të kushteve në të cilat xhiroheshin ata filma ishte shumë e vështirë të realizoje ambiente të ndriçuara siç duhet.

“Ndriçimi ishte një nga pikat e dobëta që nuk u ndreq dot kurrë. Filmi që merrnim nga Gjermania Lindore donte shumë dritë, hajde ditën bënim diçka, po natën. Po të shikosh 90% të filmave shqiptarë të xhiruar natën janë me dritë nga poshtë”, pohoi Basha.

Në mesin e viteve ’60 regjisori Dhimitër Anagnosti realizoi filmin e parë me ngjyra në vendin tonë “Rrugicat që kërkonin diell”. Në këtë periudhë kinematografia shqiptare ndryshon kah. Filmi bardh e zi i përkiste të shkuarës. Në këtë stad kineastëve i duheshin teknika të reja për realizimet kinematografike. Kishin hyrë ngjyrat, komponenti që bënte diferencën me filmin bardh e zi.

“Këta filmat bardh e zi ishin lule kur filloi filmi me ngjyra filloi tmerri për ne. Ngjyrat nuk dilnin ashtu siç i doje dhe kishte shumë probleme”, deklaroi Basha.

Kinostudio “Shqipëria e Re” u bë shtëpia e dytë për shumë kineastë shqiptarë. Prodhimtaria e filmave ishte më të vërtetë mbresëlënëse duke realizuar deri në 14 filma në vit. Por duket se ky sukses do të merrte fund, pas viteve ’90. Megjithatë përparimet në fushën e teknikës bën që realizimi i filmave të lehtësohej shumë. Fusha e kinematografisë u fut në stadin e elektronikës. Regjisori Saimir Kumbaro tregon për ndihmesën që solli përparimi i teknologjisë në xhirimin e filmave.

“Unë kam pasur fatin të punoj me dy teknika, të gjithë filmat e sotëm realizohen me elektronikë, kjo ul koston e filmit, rrit mundësinë për të bërë më shumë dubla”, thotë Kumbaro.

Përveç këtyre lehtësive Kumbaro thotë se zhvillimi teknologjik rikonceptoi edhe punën e regjisorit.

“Regjisori sot merret me shumë punë, duke qenë se grupet e xhirimit janë të vogla, i shtohet puna regjisorit”, theksoi Kumbaro.

Edhe pse prodhimet kinematografike në vendin tonë janë të pakta, bashkëpunimi me regjisorë të huaj duket se po i jep një dimension tjetër zhvillimit të filmit shqiptar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA