F1, Baton fiton në Kanada

13/06/2011 08:00

Ngjan e pabesueshme por i janë dashur të kalojë gjithçka brenda 4 orëve Xhenson Batonit për të arritur fitoren e tij të parë të këtij sezoni në Cmimin e Madh të Kanadasë dhe pikërisht në xhiron e fundit pas një paraqitjeje perfekte dhe një gabimit të kampionit të botës Sebastian Fetel.

Asgjë nuk ka nisur normal në Montreal të Kanadasë ku reshjet e shiut e makina e sigurisë ishin më shumë protagonistë se sa vetë pilotët. Pilotët e Ferrarit humbin shansin të sulmojnë në start Fetelin pasi gara fillon me makinën e sigurisë dhe në ritmin e saj normal fillojnë aksidentet e rreshjet e shiut që e ndërpresin atë pas 25 xhirosh.

Rifillimi i garës pas më shumë se 1 ore e 30 minuta është edhe më spektakolar me shtimin e aksidenteve e largimin e protagonistëve.

Në 10 xhirot e fundit Mikael Shumaker rikthehet protagonist në duelet me Veber e Baton, por është britaniku i McLaren-it që i fiton duelet me të dy këta pilotë për të ushtruar më pas presion ndaj kampionit të botës i cili pasi kishte kryesuar garën për 69 xhiro humbet gjithçka pak kthesa nga fundit duke i dhuruar fitoren krejtësisht të merituar Xhenson Batonit.

Kjo ishte fitorja e dytë për skuadrën McLaren në këtë sezon pas asaj të Kinës që fitoi me Hamilton.

Në vendin e tretë në podium është ngjitur Mark Veber i cili ia mori këtë pozicion Mikael Shumakerit.

Ndërkohë që Masa kalon në vendin e gjashtë me fotofinish bashkë me Kobajashin.

Top Channel