Ish ministri socialist i Financave, Anastas Angjeli lëshon alarmin se financat e shtetit kanë arritur në një nga pikat më të ulëta historike.
“Jemi futur në një rreth dy vjeçarë dhe më shumë vicioz të pështjelluar nga fryma politike dhe e fushatës e cila e shoqëruar me krizën politike në vend, ka bërë që financat publike dhe ekonomia jonë të jetë shumë e ndikuar nga këto fenomene. Situata është me të vërtetë emergjente”, tha ai.
Zoti Angjeli i referohet të dhënave financiare të qeverisë për 4 muajt e parë të vitit, ku defiçiti buxhetor u rrit 12 herë më shumë se plani dhe 3 herë më shumë se viti i kaluar dhe për këtë shaka qeveria u detyrua të rrisë borxhet. Por pse erdhëm në këtë situatë?
“Këtu përveç faktorëve kryesorë, të cilët lidhen me uljen e konsumit të brendshëm dhe që nga ana tjetër kjo çon padyshim në mosrealizimin e të ardhurave, veçanërisht tek TVSH-ja, pse jo edhe tek akciza, kriza politike në këto dy vite dhe më shumë e ka vënë në pozita të ngrira biznesin vendas dhe pse jo edhe investimet e huaja në vend. Por ajo që është më e rëndësishme është parashikimi i tërësisht jo realist”, theksoi Angjeli.
E detyruar tashmë, qeveria kërkon të rrisë buxhetin duke privatizuar hidrocentralet, por dhe duke kërkuar para nga donatorët e vendeve arabe.
“Deri tani këto janë burime hipotetike, të deklaruara. Deri tani nuk kemi asgjë konkrete të deklaruar dhe të nënshkruar. Ndryshimi i strukturës së donatorëve në ekonominë shqiptare, rritja në këto vitet e fundit e peshës specifike të donacioneve nga vendet islamike, padyshim duhet parë me kujdes për të ardhmen e ekonomisë shqiptare”, tha Angjeli.
Qeveria ka parashikuar që të ulë shpenzimet me 18 miliardë lekë, sipas Angjelit duhet të respektohen disa kushte.
“Shpenzimet për pagat dhe pensionet duhet të jenë të garantuara për të gjithë vitin. Së dyti mendoj se duhet të përqëndrohemi tek ato shpenzime për investime që janë drejt përfundimit të tyre, duke mos hapur fronte të reja, së treti mendoj se nuk duhet të preken disa shpenzime operative që lidhen me shëndetësinë, arsimin dhe mirëmbajtjen. Duhet që pjesa e mosrealizuar e të ardhurave të rishpëndahet në programin e tre mujorëve të mbetur”, përfundoi ai.
Top Channel