
Në kulmin e krizës me rritjen e çmimeve, në muajt shkurt-prill, guvernatori i Bankës së Shqipërisë ishte shprehur i qetë se situata do të ndryshojë shumë shpejt.
Me synimin për të qetësuar konsumatorin, kreu i BSH-së, Fullani, deklaroi se parashikimet e bankës rezultojnë se në të ardhmen e afërt çmimet do të pësonin ulje, për shkak të sezonit pranveror, ku produktet vendase shtojnë prodhimin, dhe inflacioni do i rikthehej normalitetit.
Faktet tregojnë të kundërtën, pasi aty ku nuk pritej, në muajin maj, çmimet i janë kthyer tendencës rritëse.
Konfirmimi vjen nga vetë INSTAT-i, sipas të cilit, indeksi i çmimeve të konsumit në muajin maj 2011, arriti 111 për qind kundrejt muajit dhjetor 2007, duke shënuar një ulje prej 1.1 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm, por në krahasim me një vit më parë, ka një rritje me 4.2% (inflacioni), nga 4.1% që ishte në muajin prill, kurse inflacioni në muajin maj të 2010-s ishte 3.3%.
Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije jo alkoolike” shënoi një ulje prej 2.6%, ku brenda këtij grupi ulja më e madhe prej 18.2 për qind vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshi patatet”.
Ndryshe rezultoi me frutat, çmimi i të cilave u rrit me 1.9%, sidomos te limonët me 5.6%, portokajtë me 3%, mollët me 2.7% etj.
Indeksi i grupit “Pije alkoolike dhe duhan” shënoi një rritje prej 0.1%, ku mund të veçojmë rritjen e çmimit të duhanit me 0.1%.
Po ashtu, indeksi i grupit “Shëndeti” shënoi një rritje prej 0.3%, brenda të cilit çmimet e medikamenteve mjekësore u rritën me 0.3%.
INSTAT thekson se në muajin maj çmimi i naftës shënoi një ulje prej 1.2%, ndërsa çmimi i benzinës një rritje prej 0.2%.
Top Channel