Kuzhe nuk pranon gabimet

08/06/2011 20:40

Ka mbërritur në Tiranë përfaqësuesja kuqezi pas humbjes në një nga ndeshjet e saj më të rëndësishme për objektivat e ketyre eliminatoreve, ku u mundën nga Bosnje Hercegovina me rezultatin 2-0.

Trajneri Kuzhe padyshim që është ai që mban më shumë përgjegjësi dhe në fjalët e tij të para thotë atë që të gjithë vumë re: “Nuk luajtëm mirë.”

“Nuk luajtëm mirë, por në një ndeshje nuk vendoset gjithçka nga një moment. Të gjithë lojtarët kanë përfunduar kampionatet e tyre rreth 20 ditë më parë dhe nuk ishin në nivelin e tyre më të mirë, ashtu si me Bjellorusinë. Nuk mund të themi se çfarë nuk shkoi konkretisht pasi mund të ishte një moment mungese përqendrimi. Në pjesën e parë ne mbajtëm rezultatin 0-0, një rezultat që nuk ishte i keq, ndoshta po të vazhdonim ashtu në pjesën e dytë mund të kishim rastet tona, por ne bëmë gabime që lidheshin me organizimin e lojës. Nuk dua të flasw për gabime individuale, por u bën gabime prej mungesës së përqëndrimit që sërish na ndëshkuan. Tani që ka përfunduar gjithçka mund të jetë më e thjeshtë për të gjykuar, por disa ndeshje ne i kemi luajtur shumë mirë me një sulmues dhe disa të tjera po kaq mirë me dy sulmues”, është shprehur Kuzhe.

Sa i përket orbjektivave të rinj apo edhe ëndrrës për kualifikim, të shumëpërfolur përpara këtij rezultati Kuzhe shton:

“Tashmë na duhet të luajmë mirë në ndeshjet e ardhshme e të zhvillojmë ndeshje të mira si ajo që luajtëm me Bjellorusinë. Është shumë e vështirë të mendojmë për të ardhmen”, theksoi Kuzhe.

Ndërkohë mbrojtësi i përfaqësueses kuqezi, Kristi Vangjeli si rrallë ndonjëherë, pranon gabimin në golin e parë duke u ndjerë fajtor, por që gjithsesi nuk ishte kjo ajo që vendosi humbjen e Shqipërisë.

“Në pjesën e dytë nuk ishim aq shumë ofensivë dhe pësuam një gol. Ishte një gabim pasi e mbaja unë lojtarin boshnjak tek goli i parë. Unë e pranoj gabimin tim, por gjithnjë edhe kur fitojmë edhe kur gabojmë gjithnjë mbështetemi nga ekipi. Shpresojmë që në ndeshjet e ardhshme të arrijmë objektivat të gjithë bashkë”, tha Vangjeli.

Ndeshja e rradhës e përfaqësueses kuqezi është miqësorja me Argjentinën në Buenos Ajres më 20 qershor, e cila ashtu sic thotë dhe vetë trajneri Kuzhe, do të jetë një shans i mirë për lojtarët e rinj.

Top Channel