Shqipëria mundet 2-0 në Bosnje

07/06/2011 22:10

Shuhet në bosnje ëndrra e kombëtares kuqezi për të qenë në garë për vendin e dytë në Grupin D, pasi përfaqësuesja jonë është mundur 2-0 në Bosnje.

Ekipi i Susiç rigjen qetësinë e humbur pas atij zhgënjimi në Rumani 4 ditë më parë, ndërsa kombëtarja shqiptare rikthehet me këmbë në tokë.

Vetëm disa minuta zgjati euforia e kuqezinjve të cilët tentuan dy herë në fillimin e ndeshjes të gjenin të papërgatitur kundërshtarin.

Por shumë shpejt tanët u futën në gjysmëfushën e tyre për të mos dalë më rrezikshëm. Boshnjakët dominojnë në zotërimin e topit, ndërkohë që në sulm janë shumë më pak të rrezikshëm.

Pjesa e parë u mbyll me porta të paprekura, një rezultat që na interesonte neve. Në të dytën, trajneri Kuzhe bëri disa ndryshime, por më shumë sesa për të shtyrë skuadrën përpara ishin disa arnime të atyre gabimeve që bënë futbollistët tanë gjatë 45 minutave të para.

Në minutën e 67 kuqezinjtë ranë vetë pre në kurthin e pozicionit jashte loje. Vangjeli mban në lojë Medunjanin, i cili nuk e ka të vështirë të mposhtë Ujkanin.

Pas këtij momenti loja e tanëve u përkëqësua më shumë, nuk arrinin dot të dilnin nga gjysmëfusha e vet dhe në 1-2 dalje e humbisnin topin shumë shpejt. Kësaj paraqitjeje të dobët i shtohet edhe kartoni i kuq i Lilës.

Në fund gabimi i Duros shfrytëzohet mjaft mirë nga boshnjakët të cilët vulosin fitoren 2-0 me golin e Maletiç në fundin e ndeshjes.

Kështu kombëtarja shqiptare zbret 2 shkallë në renditjen e grupit, duke zbritur në vendin e 5, me pikë të barabarta me Rumaninë e vendit të 4. Ndërkohë Bosnja ngjitet në vendin e 3 me 10 pikë.

Bjellorusia fitoi 2-0 ndaj Luksemburgut dhe forcon pozitat në vendin e dytë me 12 pikë, 1 më pak se Franca kryesuese.

Top Channel