
Ministria e Financave rishikon udhëzimin e amnistisë fiskale, sa i takon pjesës ku trajtohet legalizimi i pasurisë së paluajtshme, të padeklaruar më parë.
Kështu, aplikuesi paraqitet personalisht, me dokument identifikimi pranë ZVRPP-së dhe depoziton në dy kopje formularin e aplikimit te punonjësi i ZVRPP-së.
Nëse të dhënat janë të sakta, punonjësi i ZVRPP-së nënshkruan formularin e aplikimit dhe një kopje të tij ia jep aplikuesit.
Nëse ka pasaktësi në plotësim, fton aplikuesin t’i korrigjojë.
Punonjësi i ZVRPP-së nuk ka asnjë arsye që të refuzojë kërkesën për aplikim.
Tatimi i rivlerësimit të pasurisë së paluajtshme do të llogaritet 1 për qind e diferencës midis çmimit të rivlerësimit me çmimin e blerjes së pasurisë në kontratën paraardhëse të shitblerjes.
Në rastet kur pasuria e paluajtshme e regjistruar në ZVRPP nuk ka një kontratë paraardhëse shitblerjeje, tatimi i rivlerësimit të pasurisë së paluajtshme do të llogaritet sipas metodikës së përdorur në udhëzimin nr. 9, datë 26.2.2008 “Për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së paluajtshme”, të ndryshuar, pra 10%.
Gjatë plotësimit të formularit të aplikimit për rivlerësim të pasurisë së paluajtshme, zyra vendore e regjistrimit të pasurive llogarit masën e tatimit të rivlerësimit.
Aplikuesi paguan në bankë, për llogari të Buxhetit të Shtetit të Ministrisë së Financave, tatimin 1% të rivlerësimit të pasurisë. Tatimi mbi rivlerësimin e pasurisë duhet të paguhet në momentin e kryerjes së aplikimit për rivlerësim.
ZVRPP-ja, pasi bashkëlidh formularin e aplikimit për rivlerësim me mandatin e pagesës së tatimit nga aplikuesi, bën ndryshimet përkatëse brenda dhjetë ditëve në regjistrin e pasurive të paluajtshme.
Data e rivlerësimit të pasurisë është data e pagimit të tatimit të rivlerësimit të pasurisë.
Top Channel