“Beteja” me Bosnjen

07/06/2011 15:35

Pak orë përpara një ndër ndeshjeve më të rëndësishme për ecurinë e përfaqësueses sonë në fazën e grupeve të eliminatoreve për Euro 2012, trajneri Kuzhe ka mbledhur të gjithë lojtarët, ku i ka kërkuar të japin maksimumin të gjithë futbollistëve të formacionit, të cilët tashmë janë konfirmuar zyrtarisht.

Në portë do të jetë Ujkani, më pas në repartin e mbrojtjes tashmë një grup i plotë me Dallkun, Currin, Canën dhe Vangjelin. Në mesfushë sërish i ka besuar eksperiencës së Lalës, Skelës, Bulkut, ndërkohë që Agolli do të luaj përpara Vangjelit, një skemë që funksionoi shumë mirë në ndeshjen me Bjellorusinë në Qemal Stafa.

Sa i përket repartit të sulmit trajneri Kuzhe ka arritur të përmbushë synimin e tij për të luajtur me dyshen e sulmit Salihi-Bogdani.

Ndërkohë atmosfera në Zenica me sa duket nuk është shumë e qetë. Stadiumi ku do të luhet ndeshja është rrethuar me tela me gjemba pasi autoritetet vendase i druhen ndonjë përplasjeje të tifozerive pasi janë rreth 500 tifozë nga grupimi i Tifozëve Kuqezi që janë nisur mëngjesin e sotëm me autobusë. Qyteti i Zenicës cilësohet si vendi ku ndodhen ultrasit më të mëdhej të skuadrës së tyre përfaqësuese e për këtë arsye janë shtuar shumë masat e sigurisë.

Gjithsesi përfaqësuesja boshnjake paraditen e sotme ka mbërritur në Zenica ku do të luhet ndeshja, e cila do të fillojë në orën 20 15.
Në këtë takim të sotëm, Bosnje Hercegovina vjen pas një humbjeje 3-0 me Rumaninë pak ditë më parë ndërsa Shqipëria shkon pas asaj fitorjeje e paraqitje shumë të mirë në “Qemal Stafa” përballë Bjellorusisë.

Humbja në këtë përballje do t’i zbehë secilës skuadër ëndrrën për një kualifikim të mundshëm.

Top Channel