Kombëtarja, përplasje Kuzhe-Lala

05/06/2011 20:00

Humbja e Bosnjes në Rumani dhe barazimi i Bjellorusisë me Francën e ka bërë më të ashpër luftën për vendin e dytë në grupin D.

Aktualisht janë 4 skuadra në garë për një vend pas Francës, por kapiteni Lala del kundra të gjithëve duke e përjashtuar Shqipërinë nga lufta për vendin e dytë.

Kundërpërgjigja ka ardhur sërish nga kampi kuqezi dhe për më shumë nga trajneri kroat Josip Kuzhe.

“Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme pas atyre rezultateve të fundit në grup, nëse do të fitojmë 2 ndeshjet e ardhshme do të jemi në vend të parë. Unë jam munduar t’i mbaj lojtarët larg stresit të idesë që duhet të fitosh patjetër. por, gjithcka është e mundur”, thotë Kuzhe.

Përsa i përket Bosnjes, trajneri Kuzhe ka shprehur edhe njëherë ambiciet e tij për të dalë me një rezultat pozitiv.

“Në Bosnje do të shkojmë me ambicie të mëdha, për të marrë një rezultat pozitiv. Duhet të jemi shume të organizuar sidomos në repartin e mbrojtjes pasi Bosnja ka lojtarë shumë të mirë individualisht që mund të ndryshojnë rezultatin. Por duhet të kemi dhe ambicie për të sulmuar dhe për të arritur një rezultat pozitiv. Nëse ne nuk tregohemi të kujdesshëm do t’i japim mundësine atyre ta kalojnë këtë moment të vështirë”, shton tekniku kuqezi.

Në ndeshjen me Bosnjen do të rikthehen në formacionin bazë Dallku dhe Curri ndërkohë pjesa tjetër do të jetë e njëjtë me atë që luajti kundër Bjellorusisë.

Top Channel