Itali, skandali i basteve

05/06/2011 12:20

Në prokurorinë e Cremones janë depozituar tanimë të gjitha dokumentat mbi skandalin e basteve në futbollin italian.

Pas arrestimit të 16 personave po zbulohet çdo ditë e më shumë mbi këtë organizatë kriminale, siç e cilësojnë hetuesit. Organizatë në të cilën kanë qenë pjesë përbërëse edhe një grup shqiptarësh. Janë botuar detajet më interesante nga 80 mijë telefonatat e përgjuara nga forcat e rendit. Në njërën prej tyre ka dalë edhe emri i ministrit të jashtëm, Franco Frattini. Shtetasi shqiptar Ismet Mehmeti, i cili aktualisht ndodhet në arrest shtëpie, duke folur në telefon më 16 mars me drejtuesin sportiv të klubit të Ravenës, thotë se në Romë e ka pritur vetë ministri Frattini.

Nuk përjashtohet që të ketë ndodhur një takim i tillë, por sipas hetuesve ai s’ka lidhje me futbollin. Ismet Mehmeti ka themeluar dhe kryeson në Ravenna shoqatën Lidhja Kombëtare Shqiptare, ndërsa në vitin 2009 ai duket se është paraqitur në zgjedhjet politike në Shqipëri, në Durrës me koalicionin Poli i Lirisë.

Pra, është një person që ka patur kontakte edhe të natyrës institucionale. Ndërsa tani ai është bërë emër i njohur si personi që vinte materialisht bastet mbi ndeshjet e manipuluara, gjë që jo rrallë e bënte nga Shqipëria.
Me sa duket futbolli ishte vetëm njëri prej sporteve ku funksiononte mekanizmi i basteve ilegale, që në një ndeshje kanë arritur deri në 23 milion euro.
 
Por, ky rrjet duket se vinte baste dhe në ndeshjet e tenisit, basketbollit e volejbollit. Ky është ende vetëm një dyshim i hetuesisë pas përgjimeve telefonike, por tanimë është vendosur që të hetohet në 360 gradë.

 

Top Channel