CEZ: Investimet, me rritjen e çmimit

04/06/2011 08:00

CEZ konfirmon planin për të marrë kredi 100 milionë euro nga bankat BERZH dhe IFC, në mënyrë që të investojë në rrjetin elektrik, i cili vijon të mbetet tepër i amortizuar.

Për këtë shkak, kompania deklaron se niveli aktual i humbjeve, nëse mbetet i lartë, do të ndikojë direkt te tarifa e faturave të energjisë elektrike.

Prej disa kohësh diskutohet mundësia e rritjes së çmimit të dritave, si mbështetje e planit të CEZ-it për të shtuar investimet në rrjet.

Kompania konfirmon faktin se plani i investimeve nuk do të ndalet, që për 2011-n është parashikuar të jetë rreth 5 miliardë lekë, por për të ulur humbjet teknike dhe joteknike, nevojiten akoma dhe më shumë shpenzime.

Por në rast se të ardhurat nga arkëtimet mbeten në nivele jo të kënaqshme, që nuk garantojnë plane ambicioze investimesh, atëherë CEZ është i detyruar të marrë kredi te bankat e huaja, në të kundërt nuk mund të zhvillojë rrjetin, e për pasojë, humbjet mbeten të larta.

Po sa më të larta të jenë humbjet, aq më e madhe është mundësia për të rritur çmimin e dritave. Por edhe në rastin tjetër, marrja e kredisë në vlerën e 100 milionë eurove nga BERZH dhe IFC kërkon garanci, siç është stabiliteti i financave të CEZ-it.

Për këtë arsye, kompania deklaroi dje se është në proces vendimmarrje mbi fatin e rrjetit të “kalbur” elektrik.

Top Channel