Do të jetë kompania italiane “IRD Engineering”, supervizore e ndërtimit të tunelit të Kërrabës, pjesë e autostradës Tiranë-Elbasan.
Sipas “Shqip”, përzgjedhja është bërë nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, përmes një tenderi të hapur, kurse kontrata është lidhur rreth një muaj më parë, me vlerë shërbimi rreth 2.3 milionë dollarë.
Funksioni i supervizorit në ndërtimin e rrugëve kombëtare, sidomos për tunelin, me gjatësi 4 km, ka shumë rëndësi, si për nga ana e garancisë së punimeve, ashtu dhe në aspektin e shpenzimeve.
Tenderin për ndërtimin e tunelit e fitoi kompania greke, “Aktor”, me ofertë të paraqitur, rreth 84 milionë dollarë, gati më pak se çmimi i kërkuar nga qeveria.
Ndërtimi i të gjithë rrugës parashikon të kushtojë rreth 460 milionë dollarë, ndërsa Ministria e Financave ka mundur të sigurojë vetëm 223 milionë dollarë nga bankat arabe, kurse pjesa tjetër po negociohet.
Nisur nga shifra, e pranuar nga vetë Kryeministri në Elbasan, llogaritet që për ndërtimin e rrugës do të shpenzohen të paktën 14 milionë dollarë për çdo kilometër (në total 31.7 km).
Rruga parashikohet të ndërtohet sipas standardeve bashkëkohore europiane me 4 korsi dhe ku parashikohen të ngrihen ura dhe mbikalime, përveç ndërtimit të tunelit, prej 4 km gjatësi.
Vlera e tenderit ishte rreth 15 miliardë lekë, por kompanitë greke, ndoshta të nxitur nga kriza ekonomike e vendit të tyre, kanë ofruar çmimin “anormal” më të ulët, duke i vendosur në pozicion të vështirë zyrtarët e transporteve.
Kompania “Aktor” ofroi për ndërtimin e tunelit një çmim prej rreth 8.3 miliardë lekë, kurse bashkëkombësja, “Aegek”, paraqiti një vlerë prej rreth 8.7 miliardë lekë. E treta u rendit një kompani italiane, me ofertë shumë larg çmimit të paraqitur nga dy kompanitë helene.
Përfundimi i ndërtimit të autostradës parashikohet të kryhet brenda vitit 2013, kurse punimet në pjesën e Tiranës kanë nisur disa muaj më parë.
Top Channel