Skandali i basteve italiane

03/06/2011 15:40

Vazhdojnë të dalin detaje gjithnjë e më të hollësishme mbi skandalin e basteve në futbollin italian.

Pas arrestimit të 16 personave dhe hapjes së hetimeve për 28 të tjerë, hidhet dritë mbi një mekanizëm kushtëzimi ndeshjesh që sillte fitime të pamata.

Në këtë sistem bastesh, përveç disa figurash të shquara të futbollit italian si Beppe Signori dhe drejtues klubesh, është përfshirë edhe një grup shtetasish shqiptarë.

Në dokumentat e prokurorisë ata cilësohen si persona që pasi kanë kryer të njëjtën veprimtari në kampionatin shqiptar, po ndjekin të njëjtën metodë edhe në Itali. Vinin baste me shifra marramendëse, kryesisht në sitet aziatike shumë orë përpara takimeve sepse ishin të sigurtë për rezultatet e ndeshjeve.

Është zbuluar se grupi i shqiptarëve kishte vënë një bast prej 23 milionë eurosh për ndeshjen Padova-Atalanta, gjë që kishte shkaktuar një lloj konflikti me grupet e tjera të përfshira në këtë mekanizëm të paligjshëm, të cilët nuk guxonin të rrezikonin kaq shumë.

Hetimi që tronditi futbollin italian u hap pasi në nëtor të vitit të kaluar u zbulua që disa futbollistëve të skudrës së Cremonese u ishin futur qetësues në pije për të ulur rendimentin e tyre në lojë. Përgjimet telefonike çuan më pas në zbulimin e këtij sistemi të zgjeruar bastesh të paligjshme.

Top Channel